Gazeta Si – “Bandat shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike kanë marrë kontrollin e furnizimit me kokainë në Amerikën e Jugut, me të cilën kanë ‘përmbytur’ edhe Britaninë".
Ky konstatim është publikuar nga "Daily Mail" pas një investigimi, ku evidentohet se baza e trafikut është Ekuadori, ndërsa tregu përfundimtar Britania e madhe.
Gazeta britanike thotë se ka kryer një hetim ku tregohet lufta e përgjakshme si pasojë e kërkesës për kokainë.
Në dokumentar thuhet se tregu i kokainës së Mbretërisë së Bashkuar vlen rreth 2 miliardë paundë dhe përllogariten rreth 976 mijë përdorues.
Numri i vdekjeve si pasojë e përdorimit të kokainës në Britani është rritur në 840, duke u shtatëfishuar nga një dekadë më parë.
Hulumtimi i Agjencisë Kombëtare të Krimit ka treguar se grupet shqiptare të krimit të organizuar kontrollojnë tregun e kokainës në të gjithë qytetet kryesore dhe zonat periferike të Mbretërisë së Bashkuar (me përjashtim të Merseyside, ku kriminelët vendas mbeten në krye).
LEXO EDHE:
- Shqiptarët po "braktisin" Ekuadorin, historia e dy bosëve "Barbas" dhe "Pelados" që hynë në Peru si turistë për të trafikuar 2.2 tonë kokainë
- Si dhe pse shkuan, gjuha, jeta e korrupsioni në drejtësi. 15 arsye pse mafia shqiptare bën ligjin në Ekuador
- Si funksionon mafia e shqiptarëve në Amerikën Latine, ku arrijnë tentakulat dhe pse zbarkuan. Ekspertët: Kokainën e blejnë lirë
Të njëjtët “baronë” droge kanë marrë nën kontroll të hekurt shpërndarjen e kokainës nga Ekuadori, ku ata janë përfshirë në një betejë të përgjakshme me kartelet lokale.
Në dokumentar, të cilin" Daily Mail" shprehet se e ka ndarë në dy pjesë, flitet fillimisht për bosët shqiptarë të drogës që tashmë kontrollojnë furnizimin me kokainë në resortet e famshme në Brighton. Sipas sondazheve, atje, një në pesë persona mendohet se i përdor këto substanca.
“Sipas burimeve, një figurë misterioze e botës së krimit nga Shqipëria, i njohur vetëm me iniciale, thuhet se është një nga organizatorët e krimit në krye të një rrjeti tregtarësh droge që furnizojnë me kokainë punëtorët e shtresës së mesme, turistët dhe studentët”, shkruan gazeta britanike.
Sipas disa raporteve të OKB-së, prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord me rikthimin e kërkesës pas bllokimeve nga Covid.
“Muajin e kaluar, një kongresmen kryesor në Ekuador zbuloi se si kërcënimi i mafies shqiptare ka infektuar vendin përmes dhunës dhe ryshfetit për të ndërtuar një biznes të paligjshëm që konsiston në blerjen e kokainës me çmim të ulët në Amerikën Latine dhe tregtimin në Europë”, - vijon e përditshmja britanike.
Fernando Villavisencio, tha se rreth 4 mijë shqiptarë jetojnë në Ekuador. “Trafiku i drogës, korrupsioni dhe format e tjera të krimit të organizuar kanë kontaminuar pjesë të mëdha të sistemit të shtetit të ekuadorian, duke përfshirë klasën politike dhe partitë, institucionet e drejtësisë, sistemin financiar dhe kanë mundur të penetrojnë tek forcat e rendit të cilat janë përgjegjëse për luftën ndaj krimit të organizuar”, thekson kongresmeni Villavicencio.
Kokaina që futet nga Ekuadori në Britani zakonisht fshihet në kontejnerë dhe vjen nga portet e Roterdamit ose Anversës. Edhe në këto qytete është parë një rritje krimit të bandave që lidhen me drogën.
Në pjesën e dytë të hetimit, "Daily Mail" thotë se ka intervistuar një kriminel ekuadorian, i cili ka thyer kodin e heshtjes së mafies dhe ka zbuluar se si banda e tij punon me narko-trafikantët shqiptarë për të trafikuar tonelata me kokainë drejt Britanisë dhe Europës.
"Daily Mail" pretendon se ky person do të zbulojë historinë e shqiptarit Dritan Rexhepi, i cili u lirua nga burgu me kusht në Ekuador për t'u zhdukur më pas.
Rexhepi njihet si “mbreti i arratisjeve”, sepse është larguar nga burgjet në Belgjikë dhe Shqipëri. Po ashtu, nga policia britanike ai është në listën e më të kërkuarve.
Për Rexhepin, thuhet se ai është rasti tipik i narko-trafikantëve shqiptarë që vendosen në Ekuador, negociojnë direkt me prodhuesit dhe komandojnë tërë zinxhirin e furnizimit me kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.