Seriali më i fundit i Netflix titullohet “Inventing Anna”. Ai u publikua më 11 shkurt dhe shumë shpejt zuri vendin e parë sa i takon shikueshmërisë.
Krijimi i Shonda Rhimes, e cila ka krijuar gjithashtu serialet e njohura “Grays Anatomy”, “Scandal” dhe “Bridgerton” sjell historinë e jetës së Anna Delvey.
Seriali zbulon prejardhjen reale të Anna-s, emri i vërtetë i së cilës është Anna Sorokin, një grua ruse 31-vjeçare, e cila pretendoi se ka një trashëgimi të madhe nga prindërit e saj. Ajo frekuentoi festat elitare të New York-ut, hotelet më luksoze dhe restorantet më të shtrenjta për vite me radhë.
Krijimi i Rhimes i lë njerëzit me kureshtjen se çfarë duhet të besojnë në të vërtetë dhe me këtë rast demaskon mashtrimin.
“E gjithë kjo histori është plotësisht e vërtetë. Përveç pjesëve që janë të sajuara”, shkruhet në episodin e parë.

E vërtetë: Artikulli i New York Magazine frymëzoi gjithë hetimin.
“Inventing Anna” i detyrohet një investigimi gazetaresk që është po aq i rëndësishëm sa vetë skandali.
Pa punën e Jessica Pressler, gazetare dhe redaktore në “New York Magazine” ky serial nuk do të ekzistonte.
Gënjeshtër: Shefat e revistës druheshin nga publikimi i artikullit
Pressler ka bërë me dije se shefat e saj ishin shumë mbështetës për finalizimin e artikullit, ndërsa në serial rezulton sikur shefat donin që gazetarja ta mbante fokusin diku tjetër dhe jo te mashtrimet e Anna Delvey.
“Mendoj se qëndrimi i shefave në ‘Inventing Anna’ janë një shembull i zyrave patriarkale në përgjithësi”, u shpreh gazetarja.
E vërtetë: Anna Delvey bëri përpjekje të mëdha për të mashtruar qindra njerëz dhe banka.
Në vitin 2017, Delvey u arrestua sepse mashtroi bankat, hotelet dhe të njohurit e saj duke shkaktuar një dëm prej 242 mijë eurosh. Seriali përshkruan me detaje punën e saj dhe mënyrën si ka vepruar.
Një nga aspektet më befasuese si të artikullit, ashtu edhe të serialit është aftësia e Anës për të kaluar falas nga një hotel luksoz në tjetrin. Fasada e saj është e thjeshtë. Ajo qëndronte gjatë në një hotel dhe linte vazhdimisht bakshishe të majme.
“Do ta shoh kur të dal nga burgu”, është shprehur ajo për serialin.
E mbetur pas hekurave, Anna akoma nuk e ka parë serialin bazuar në jetën e saj, ndërsa shprehet se mezi pret ta shohë. Ajo tregon se me aq sa ka dëgjuar nga persona të tjerë, është e bindur se kujtimet e saj janë shumë më emocionuese në realitet. Madje, ajo ka pohuar se është thuajse në fundin e librit ku ka përshkruar gjithçka ka ndodhur në jetën e saj të vrullshme.
Në intervistën e saj për “Daily Mail”, vajza që trazoi shtresat e larta në Nju-Jork, tregon se nuk është penduar plotësisht për veprimet që ka bërë, por nëse do të kthehej pas, do të kishte gjëra që do t’i bënte ndryshe.
Sipas CNN, Sorokin ka shpenzuar pjesën më të madhe të shumës prej 320,000 dollarësh që ishte paguar për serialin, për të paguar borxhet në banka dhe gjoba të tjera.

Veshjet
Siç shihet në serial, veshjet e saj në sallën e gjyqit u bënë virtuale, duke fituar ndjekës në Instagram dhe duke forcuar imazhin e saj.
Sorokin gjatë gjyqit ia doli pa dyshim me ndihmën e Anastasia Walker si stiliste e saj personale.
Theksi
Theksi praktikisht i pagjurmueshëm i Sorokin është ndër tiparet e saj më dalluese. E lindur në një qytet 20 minuta jashtë Moskës, ajo u shpërngul në Gjermani kur ishte 15 vjeçe, por jetoi vetëm që në moshën 19-vjeçare, duke fluturuar nga Parisi në Nju Jork. Theksi i saj është një përzierje ndikimesh.
Në fund të fundit, Anna në film fjalët i ka shumë të prera dhe secilën rrokje të ekzekutuar me shumë kujdes. Është vërtet e vështirë të thuash se nga do të ishte ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




