Njerez

Intuita, forma më e lartë e inteligjencës

Intuita nuk është thjesht një “njohuri” që lind papritur. Intuita është më shumë se sa një veprim a përgjigje rrufe. Është instikti i të kuptuarit se cili informacion është i parëndësishëm, e që duhet flakur tej dhe cili jo.

Gerd Gigerenzer, drejtori i Departamentit të Zhvillimeve Njerëzore në Institutin Marx Planck në Gjermani është autor i librit “Inteligjenca e pavullnetshme”. Ai e përshkruan veten si intuitiv dhe racional. 

Bruce Kasanoff, studiues dhe autor i disa shkrimeve kryesisht online bie dakort me Gigerenzer.

“Në punën time të përditshme shkencore kam dilemat e mia të mëdha. Shpesh nuk mund të shpjegoj se përse rruga që ndjek është e duhura, por më duhet që ta besoj që ajo është vërtetë e duhura dhe ta ndjek. Kam edhe aftësinë të skanoj këto dilema, këto vështirësi e të analizoj mënyrat për tejkalimin e tyre. Kjo i takon pjesës shkencore të jetës time. Për jetën private, bazohem tek instikti. Si shembull, kur u takova për herë të parë me gruan time, nuk bëra përllogaritje, as ajo nuk e bëri këtë”, deklaron ai.

Ç’lidhje ka gjithë kjo me intuitën?

“E tregova këtë sepse së fundmi, një prej lexuesve të mi, Joy Boleda më bëri një pyetje të vështirë e që më la të shtangur. Po në lidhje me intuitën? Ajo asnjëherë nuk është cilësuar si formë inteligjence, por a mund të themi e mendojmë se dikush me intuitë më të lartë për të bërë gjërat është më inteligjent? Kjo ishte pyetja që m’u bë”, rrëfen Bruce Kasanoff.

Pyetje e vështirë që kërkon një përgjigje të thjeshtë. Kasanoff e ka një.

“Instikti im i brendshëm më thotë po, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që janë kureshtarë, të etur për të mësuar gjëra të reja dhe të vendosur për të sfiduar e vënë në mëdyshje gjithmonë bindjet e tyre fillestare. Ta thjeshtoj pak më shumë. Nëse je i ulur në karrige dhe i beson intuitës tënde për të qëndruar në atë karrige, nuk është se po ushtron e tregon shumë inteligjencë. Por, nëse mbërthehesh në një subjekt studimor dhe sheh mundësitë e shumta të enigmës që ke përballë dhe instikti të tregon pjesët e rëndësishme për zgjidhjen e misterit, atëherë këtu po që po e ushtron inteligjencën”, përgjigjet ai.

Bruce Kasanoff thotë se në disa aspekte intuita mund të mendohet si një pasqyrë e pastër e inteligjencës kolektive. Si shembull ai sjell faqet e internetit.

“Shumica e tyre sot janë të organizuara në një formë e mënyrë intuitive, që do të thotë se janë më të lehta për t’u lundruar nga përdoruesit. Kjo qasje evoluoi pas shumë vitesh kaosi online si një mençuri e përbashkët që ndan shapin nga sheqeri në fushën e informacionit”, shton ai.

Theo Humphries i Universitetit të Kardifit e përcakton intuitën si një mekanizëm për të kryer një veprim a kthyer një përgjigje pa përdorur udhëzimet e kryerjes së veprimit apo dhënies së përgjigjes.

Theo është një partizan i punës kërkimore dhe vullnetit të hekurt, por pa e nënvlerësuar intuitën. Bruce Kasanoff e thjeshton më shumë idenë e Theo Humphries.

“Nuk jam një fanatik i intuitës së disiplinuar, por jam i gatshëm t’i besoj intuitës nëse më parë përdor trurin, studioj argumentet logjike dhe bëj të gjitha detyrat racionale. Nëse dikush më thotë që t’i besoj intuitës së tij, pa kaluar më parë këto hapa, atëherë unë largohem pa e përshëndetur. E them këtë nga përvoja personale, sa më shumë punë kërkimore e studimore bëj, aq më e fortë dhe e pagabueshme bëhet intuita ime për të zgjidhur gjërat”, shpjegon ai.

Për intuitën dhe racionalen citohet edhe Albert Einstein.

“Një mendje intuitive është një dhunti e shenjtë! Një mendje racionale është një shërbëtore besnike. Ne kemi krijuar një shoqëri që nderon shërbëtoren dhe ka harruar dhuntinë”, citohet ai.

Shpesh njerëzit vihen përballë sfidave nga punëdhënësit e tyre me detyra që kanë edhe një afat kohor të caktuar. Pikërisht, nën trysninë e afatit kohor, një mendje racionale zgjedh rrugën më të sigurtë, pavarësisht se ajo mund të jetë e gabuara dhe më pak produktivja dhe ndjesia që lë pas është ajo “se diçka nuk shkon”. Këtë ndjesi e lë gjithmonë intuita.

Njerëzit e zgjuar i dëgjojnë këto ndjenja dhe më inteligjentët mes nesh nuk marrin asnjëherë vendime pa “u këshilluar më parë me intuitën”.

Burimi Forbes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë