Njerez

Intervista / Biologia Pura Munoz: Plakja mund të ndalet, si mund të kthehet pas ora biologjike e trupit të njeriut

Nga Gazeta Si- Një vit më parë, bota u njoh me një projekt të bujshëm. Një kompani shumëkombëshe që ka në stafin e saj 4 fitues të çmimit Nobel, një buxhet të madh prej 3 miliardë dollarësh dhe një objektiv shumë ambicioz: të zgjasë sa më shumë kohën që njerëzit të mund të jetojnë, duke pasur një shëndet të mirë.

Për disa muaj, kompania “Altos Labs”, nënshkroi dhjetëra kontrata bashkëpunimi me shkencëtarët më të mirë të botës, duke u ofruar atyre paga vjetore prej më shumë se 1 milionë dollarë. Në mars të vitit të kaluar, “Altos Labs”, që mbështetet në prapaskenë nga miliarderi ruso-izraelit Yuri Milner, rekrutoi në projekt edhe biologen e famshme spanjolle Pura Muñoz Cánoves, fituese e Çmimit Kombëtar të Kërkimit në Spanjë, që deri në atë kohë ishte profesoreshë në Universitetin Pompeu Fabra në Barcelonë.

Biologia Pura Munoz canoves.

Muñoz Cánoves, 61 vjeçe, zbuloi mekanizmat e plakjes dhe rigjenerimit të muskujve. Laboratori i saj në Spanjë, krijoi strategji që arrinin të riparonin indet e muskujve tek minjtë e moshuar, duke rritur aktivitetin vetë-pastrues të qelizave të tyre dhe duke eliminuar ato që ishin dëmtuar. Në selinë e “Altos Labs” në San Diego të SHBA, Muñoz Cánoves dhe kolegët e saj po përqendrohen tani mbi një paradigmë të re: qëllimi nuk është më të rregullojnë atë që është dëmtuar, por të rinovojnë trupin e njeriut.

Një mi jeton mesatarisht 3 vjet, një ketër mund të jetojë deri në 25, dhe miu pa qime i kalon 40 vjetët, duke qenë kafshë mjaft të ngjashme. A mund të ëndërrojmë ta shumëzojmë me 10 jetëgjatësinë e njeriut?

Dhe balenat mund jetojnë deri në 200 vjet. Ne ende nuk e dimë arsyen pse disa specie kanë një jetëgjatësi kaq të madhe, dhe pse të tjera jetojnë shumë më pak. Por unë mendoj se duhet të përpiqemi të jetojmë më mirë sesa sot. Nëse e pranojmë si të vërtetë premisën, se me plakjen ka një rrezik më të madh të prekjes nga sëmundjet, një degë e re e bio-mjekësisë është e fokusuar në mbajtjen e trupit të ri sa më gjatë të jetë e mundur, për të parandaluar sëmundjet ose për t’i bërë ato të shfaqen sa më vonë të jetë e mundur. Kjo është edhe premisa e Altos Labs: përpjekja për të mbajtur qelizat dhe organizmat të rinj dhe të shëndetshëm për sa më gjatë që të jetë e mundur.

Ekspertët amerikanë Matt Kaeberlein dhe Brian Kennedy, deklaruan në vitin 2009 se pilula për të zgjatur jetën është një fantashkencë. A është ende kështu?

Mendoj se jo, pasi që atëherë kanë kaluar gati 15 vjet. Filozofia e re, synon që të përpiqemi të qëndrojmë të rinj duke ndalur në përgjithësi sëmundjet që lidhen me plakjen. Është e kundërta e mjekësisë precize, e cila është shumë e personalizuar. Kjo që po flasim është mjekësia e përgjithshme: mbajtja e qelizave të reja, që të mos shfaqen kaq shpejt rreziqet që lidhen me kalimin e kohës. Por jemi ende në hapat e para.

A mendoni se është e mundur që një pilulë të parandalojë krejtësisht kancerin, Alzheimer-in dhe sëmundjet kardiovaskulare?

Jo një pilulë. Ato do të duhet të trajtohen në fronte të ndryshme. Ne në Altos, po përpiqemi që t’i bëjmë më të forta qelizat. Me kalimin e kohës, ato i humbasin armët e tyre për të ndaluar stresin dhe bëhen më të prekshme. Nëse ripërtërihen me metodat e ri-programimit, do të jenë në gjendje të përballojnë më mirë stresin dhe të parandalojnë sëmundjet. Por jemi ende herët. Më parë duhet të gjejmë mënyrën se si të ri-programojmë qelizat në mënyrë të sigurt.

Një injeksion?

Nuk jemi ende në atë pikë. Ne kemi filluar të kuptojmë se si ta kthejmë pas orën biologjike. Matt Kaeberlein dhe Brian K.Kennedy thanë në vitin 2009 se mund të ketë një pilulë që do të na bëjë të qëndrojmë më të rinj më gjatë, por që gjithsesi kjo ishte një fantashkencë. Ka të ngjarë që ata t’i referoheshin pilulave të rapamicinës ose metforminës, të cilat parandalojnë plakjen. Ajo që mbetet ende e largët është sprapsja e sëmundjeve të lidhura me plakjen, pra  kthimi pas i orës biologjike.

Kundër plakjes?

Po, ne tashmë e dimë se kjo ka qenë e mundur tek eksperimentet me minjtë, dhe në qelizat njerëzore. Shinya Yamanaka fitoi çmimin Nobel për këtë arsye. Një qelizë mund të bëhet më e re. Yamanaka arriti ta kthejë atë në fazën embrionale zero, por s’ka nevojë të kthehemi deri në atë pikë.

Eksperimentet e Juan Carlos Izpisua, tregojnë se pulset e kontrolluara të 4 faktorëve tek minjtë me një plakje të përshpejtuar, i ndihmuan ata të jetonin më gjatë dhe e përmirësuan funksionin dhe rigjenerimin e indeve tek minjtë e plakur normalisht. Altos po punon që t’i përkthejë këto qasje tek njerëzit, por kjo do të kërkojë pak kohë.

Libri “Të vdesësh si i ri në moshën 140-vjeçare”, shkruar nga biologia molekulare María Blasco dhe gazetarja Mónica Salomone, thotë se kafsha më e vjetër në botë është një molusk nga Islanda që jetoi 507 vjet. A ka diçka biologjike që na pengon të jetojmë ne njerëzit deri 507 vjeç?

Ne nuk e dimë pse balenat jetojnë 200 vjet, një mi 3 vjeç, dhe ne njerëzit mesatarisht 80 vjeç. Ndoshta duke kuptuar biologjinë evolucionare, ne mund të përfshijmë strategjitë natyrore të disa specieve, dhe t’i bëjmë ato tonat për të jetuar më mirë. Duke perifrazuar María Blasco, ajo që duam ne të gjithë është të vdesim të rinj pas shumë vitesh jetë. Por gjithsesi, një ditë ne të gjithë do të vdesim, sepse jemi të vdekshëm.

Burimi: El Pais. Marrë me shkurtime nga Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë