Moti

Intervale të gjata me diell, temperaturat shkojnë deri 16 gradë

Vendi ynë do të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin, ku vranësira të lehta pritet të ketë vetëm në zonat e thella malore të Shqipërisë. Por parashikohet që pjesa e dytë e ditës t’i bëjë gradualisht më të dukshme vranësirat, të cilat do të shfaqen edhe në qytetet e zonës së ulët. Ndërsa vija bregdetare në pjesën më të madhe të saj do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Mbrëmja dhe nata vonë i zhvendosin gradualisht vranësirat drejt shtrirjes Lindore.

Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -1°C vlera minimale deri në 16°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi Verior-Verilindor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë