Kriminelët po përdorin shërbimet delivery si mbulesë për të transportuar drogë dhe mallra të tjera të paligjshme gjatë krizës së koronavirusit, ku shtete të ndryshme janë izoluar, deklaroi Interpoli, të enjten. Organizata më e madhe e policisë globale shpjegoi se kishte marrë informacione nga policia në Irlandë, Malajzi, Spanjë dhe Britani që motoristët e ushqimeve delivery po transportonin kokainë, mariuanë, ketaminë dhe ekstazi.

Bllokimet dhe kufizimet e lëvizjeve të njerëzve, të imponuara nga qeveritë në mbarë botën në përpjekje për të penguar përhapjen e virusit, kanë çuar në rritjen e kërkesës për ushqimet delivery. Në fillim të këtij muaji, Policia Kombëtare Spanjolle identifikoi dhe arrestoi shtatë shoferë delivery, që dërgonin ushqime në Alicante dhe Valencia, deklaroi Interpol.
Personat e arrestuar u kapën duke shpërndarë kokainë dhe mariuanë me biçikletë, motor dhe makinë, ku drogën e kishin fshehur në paketat e dërgesave ushqimore. Në Irlandë, policia sekuestroi 8 kg kokainë, si dhe dy armë të fshehura në kuti picash, shtoi Interpol.

Interpol deklaroi që shpërndarësit mund të jenë bashkëpunëtorë ose viktima të këtij rrjeti, pasi në disa raste u vu re që lënda narkotike ka qenë e vendosur brenda në ushqim.
Edhe pse situatë pandemie, ku vihet re ulje të dërgesave transatlantike, zyrtarë të lartë të anti-drogës kanë deklaruar për Reuters, se bosët e drogës në Amerikën Latine kanë dërguar në Evropë gjatë javëve të fundit, dërgesa të mëdha kokaine, nder te cilat një sasi e konsiderueshme ka qene e fshehur brenda një ngarkese ne kallamarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




