Nga Gazeta Si - Deputetja e PD, Ina Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti lidhur me projektin e Butrintit.
Zhupa u shpreh se Ministria e Kulturës e dha me koncesion Butrintin duke argumentuar se deri më tani administrimi nuk kishte rezultuar efektiv për shkak të administratës së paaftë dhe të politizuar.
Mes ironisë, Zhupa tha se ajo që duhet të jepet me koncension duhet të jetë Ministria e Kulturës.
“Gjendem sërish para jush për të shpjeguar sqarime nga ministrja e Kulturës në lidhje me kontratën e parkut, në fakt të qytetit antik të Butrintit, pasi janë garantuar se ai qytet do të ndahet në dy copa. Disa do iu jepet për resorte, duke hequr 800ha tokë. Pyetja ime e parë që ende s’më ka marrë përgjigje është se si ka mundësi që shteti jonë të heqë dorë nga mbrojtja kulturore, historike, arkeologjike dhe t’ia dorëzojë një privati?! Si ka mundësi që shteti ynë thotë se administrimi për Butrintin ka dështuar për politizim të administratës dhe paaftësi të saj”, tha Zhupa.
Sipas Zhupës, nëse kriteret për të dhënë me koncesion diçka është një administratë publike, atëherë institucioni i parë që duhet të jepet me koncension është Ministria e Kulturës.
“Është institucion politik dhe i paaftë. T’ia japin Fondacionit Amerikan. T’i japim të njëjtin besim, pasi qenka më i aftë për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore, pasi është perlë e administrimit”, tha Zhupa.
Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti i është përgjigjur deputetes Ina Zhupa, për çështjen e Butrintit duke i thënë se “është ndezur llampushka e një publiciteti shterpë”. Më pas jep sërish detaje se çfarë do të ketë projekti i Butrintit duke nisur nga marrëveshja deri te paratë që do të investohen.
“Në respekt të kërkesës për interpelancë ndonëse jo mbi pyetje konkrete, do vazhdojmë të sqarojmë ata të cilët ndoshta kanë ende hapësira për sqarime, por mendoj se është për të ndezur llambushka të një publiciteti shterpë dhe me kauza të munguara. E keni dëgjuar disa herë dhe duhet ta ripërsëris që Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk i jepet asnjë privati. DSo të administrohet nga një fondacion shqiptar, do të jetë bashkëpunim me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim, punët e të cilit i kemi dëgjuar tashmë që nga pazari i Gjirokastrës, i Tiranës, i Krujës etj. Ky fondacion do të monitorohet nga Ministria e Kulturës si përfaqësues i palës shtet për të kontrolluar të gjithë aktivitetin e fondacionit. Marrëveshja e administrimit nuk parashikon asnjë tjetërsim apo kalim prone. Në krye të fondacionit është bordi me 5 anëtarë, 2 nga Ministria e Kulturës, 2 nga partneri strategjik dhe një arkeolog i famshëm, Richard Horges. Shteti shqiptar nëpërmjet MK është drejtues i bordit. Kjo është një nga kërkesat primare që kemi pasur në që fillim të hartimit të planit. Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptarë, pra është jofitimprurës duke hedhur poshtë çdo akuzë, alibi apo pikëpyetje ngritur me të ardhurat e Butrintit. Çdo qindarkë do të mbetet në Butrint”, është shprehur Margariti.
Ina Zhupa ndër të tjera u shpreh e bindur se sipas saj, koncesioni për Butrintin do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi është ligj antikushtetues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.