Jete & Stil

Interneti, sëmundje apo shpëtim?

Po jetojmë në epokën e teknologjisë dhe rrjetet sociale në këtë kohë janë kthyer në mik dhe armik për shoqërinë tonë, kryesisht tek të rinjtë. Rrjetet sociale pa dyshim që kanë kontribuar në shumë gjëra pozitive, megjithatë ato po ashtu kanë ndikuar edhe negativisht tek ne. Ana pozitive e rrjeteve sociale është se njerëzit anembanë botës mund të krijojnë lidhje më njëri tjetrin, mund të njohim njerëz të rinj, të mbajmë lidhje me miqtë,dhe të afërmit, të informohemi rreth aktiviteteve që ato kanë. Gjithashtu ne rrjetet sociale mund të bëhen reklamime të ndryshme. Theksojmë se rrjetet sociale në shumë aspekte kanë ndikuar pozitivisht në jetën tonë, por mos të harrojmë se ekziston edhe ana negative e tyre.

Interneti

Cilat janë disa nga ndikimet negative të rrjeteve sociale?

Ndikimi që renditet në fillim është varësia që krijojnë njerëzit ndaj rrjeteve të tilla sociale. Duhet thënë që edhe pse nuk ekziston akoma ndonjë sëmundje ose çrregullim që mund të lidhet me varësinë që kemi krijuar ndaj këtyre rrjeteve sociale, sërish ekzistojnë një varg sjelljesh që ndërlidhen me përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale, ku kohët e fundit janë bërë shumë studime në lidhje me këtë pikë.  Po cili individ mund të quhet i varur ndaj rrjeteve sociale. Të varur ndaj rrjeteve sociale mund të quajmë një person që e tepron me kohën që i merr një angazhim i tillë dhe me ndërhyrjen që mund të bëjë ky rrjet në jetën e përditshme.

Fiksimi pas internetit

Të jesh i varur ndaj rrjeteve sociale do të thotë edhe të humbasësh pothuajse edhe kontaktet me miqtë apo të afërmit. Kjo gjë mund të ndodh në këtë mënyrë kur individi nuk del me shoqërinë e tij por preferon një mjet me të cilin mund të komunikoj ose të luajë gjatë gjithë kohës. Një individ i tillë i varur nga rrjetet sociale mund të përjetojë ndjenja të tilla si ankth, stres, depresion si dhe disa çrregullime te tjera psikologjike, të cilat mund të rëndohen me kalimin e kohës. Një aspekt tjetër negativ që mund të sjellin rrjetet sociale është që një individ i varur nga këto rrjete mund edhe të bëjë krahasimin e vetes me të tjerët gjatë gjithë kohës. Kjo gjë nuk është një aspekt i pëlqyeshëm, sepse jo çdo individ ka kushtet dhe jetesën e njëjtë, po ashtu gjendjen ekonomike mund ta kenë të ndryshme.

Izolimi nga rrjetet sociale

Prandaj indvidi duke parë të tjerët që mund të jenë më mirë do të përjetojë vuajtje, do të ketë një vetëvlerësim të ulët, gjëra të cilat mund të çojnë edhe në shfaqjen e depresionit. Një tjetër fakt që mund të rezultoj negativ nga rrjetet sociale është edhe shpërqendrimi. Çdo të kuptojmë me këtë gjë? – Me shpërqendrim do të kuptojmë pikërisht humbjen e jetës së përditshme reale. Kjo ndodh kur individi është gjatë gjithë kohës i përqendruar në rrjetet sociale, duke parë postimet e fundit, pëlqimet dhe shumë gjëra të tjera duke lënë në një farë mënyre pa prekur jetën reale dhe njerëzit në të vërtetë. E thënë ndryshe një individ i varur pas rrjeteve sociale në vend që të përqendrohet në punë, në shkollë dhe në familje mund të gjendet gjatë gjithë kohës në internet duke parë e komentuar ngjarjet më të fundit.

https://www.youtube.com/watch?v=iOUsiXgtHGQ

Në këtë mënyrë individi do të shpërqendrohet dhe nuk do të jetë më një person produktiv që mund të sjell diçka të re në jetën e përditshme, qoftë për të rregulluar diçka nga problematikat që mund të hasen në jetë apo edhe për të sjellë një risi më ndryshe dhe më funksionale për të gjithë komunitetin. Një nga pikat më kryesore që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të rinjtë është gjuha e përdorur në këto rrjete sociale. Të rinjtë janë personat që marrin më shumë nga e folura dhe nga bisedimet që mund të bëjnë në këto rrjete dhe kur kjo e folur është e ulët dhe jo e përshtatshme për njerëzit me intelekt dhe zhvillim normal, atëherë mund të themi që këta të rinj janë në gjendje degradimi, kjo përsa i përket mënyrës së komunikimit.

Ky është dhe duhet të jetë një shqetësim i madh për të gjithë individët, të cilët duhet të përpiqen që ta ndryshojnë, në mënyrë të tillë që shoqëria të jetë në nivelet e duhura dhe të mund të ecë përpara në të gjitha aspektet e zhvillimit të një vendi normal. Të rinjtë janë e ardhmja e çdo vendi dhe nëse atyre iu mungon komunikimi etik dhe nëse ky komunikim nuk i përshtatet të gjithëve duhet që menjëherë të ndërmerren hapa për ta ndryshuar. Një nga hapat që mund të merren në ndryshimin sidomos të këtij aspekti negative është kufizimi i qëndrimit online në rrjetet sociale dhe kufizimi i një komunikimi jo të përshtatshëm ose jo etik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë