Futboll

Interi nuk gabon, ruan distancën me Juventusin. Asllani fiton duelin me Ramadanin

Gazeta Si – Interi nuk gabon, Asllani fiton duelin kuqezi me Ramadanin në Serinë A. Kanë fituar 2-0 zikaltrit kryesues përballë Leçes, duke e lënë të pandryshuar diferencën me Juventusin, që më parë kishte mundur 1-2 Frozinonen në transfertë.

Edhe java e 17-të e Serisë A ka folur për një Inter dominues. Pa kapitenin Lautaro Martinez, skuadra e Inzagit e zgjidhi ndeshjen me golat e Bisek në pjesën e parë dhe Barelës në të dytën. Diferenca me Juventusin ndjekës mbetet kështu në 4 pikë.

Rezultati mund të ishte më i thellë, por portieri i Leçes, Falkone, bëri disa pritje shumë të mira. Ylber Ramadani ishte titullar në këtë ndeshje, si gjithmonë, ndërsa Kristjan Asllanit trajneri Simone Inzagi i rezervoi çerek ore lojë, plus shtesat.

Mesfushori shqiptar i Interit iu afrua golit në një moment, kur goditi fort me të djathtën nga distanca, por portieri kundërshtar i mohoi festën.

Titullar luajti sot edhe Berat Gjimshiti me Atalantën, që u mund 1-0 në fushën e Bolonjës. Kapiteni i Kombëtares ishte më i miri në mbrojtje për skuadrën bergamaske.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë