Libra

‘Inteligjenca rrjedh nga libri’, motoja e Panairit të 25-të i Librit ‘Prishtina 2025’

Nga Gazeta “SI”– Nga data 11 deri më 15 qershor, Pallati i Rinisë në Prishtinë do të mirëpresë edicionin jubilar të Panairit të Librit “Prishtina 2025”, ngjarjen më të rëndësishme të librit në Kosovë dhe një ndër më të mëdhatë në hapësirën shqiptare.

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, panairi i këtij viti shënon 25-vjetorin e tij, duke u kthyer në një pikëtakim kulturor për botues, autorë dhe lexues nga gjithë rajoni.

Një organizim i Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë, edicioni i sivjetshëm sjell rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare, të cilët do të paraqesin mbi 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 libra të viteve të fundit.

Ceremonia zyrtare e hapjes do të zhvillohet më 11 qershor, ora 12:00, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës. Panairi do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 9:00 deri në 21:00, ndërsa mbyllja do të bëhet më 15 qershor në orën 19:00. Hyrja për të gjithë vizitorët mbetet pa pagesë.

Përtej ofertës së pasur të librit, në fokus të këtij panairi janë edhe përvjetorët e disa prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës dhe 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit. Këto përkujtime do të shoqërohen me aktivitete përkujtimore, tryeza diskutimi dhe promovime librash.

Panairi pritet të vizitohet nga mbi 30 mijë vetë, përfshirë studentë, nxënës, lexues të apasionuar dhe personalitete të njohura nga bota akademike, letrare e politike. Në mesin e të ftuarve të veçantë do të jenë edhe autorë nga Franca dhe vende të tjera evropiane, duke i dhënë ngjarjes një dimension ndërkombëtar gjithnjë e më të dukshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë