Inteligjenca Artificiale

Inteligjenca Artificiale mund t’i shtojë deri në 4.4 trilionë dollarë në vit ekonomisë globale

Inteligjenca Artificiale (IA) mund të luajë rol vendimtar, për të ndihmuar drejtuesit dhe ekipet e tyre të marrin vendime strategjike dhe të menjëhershme, bazuar në të dhëna, si dhe në veprime efektive.

Studimet tregojnë se zbatimi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese në marketing sjell përfitime premtuese të produktivitetit.

Ekspertët e marketingut vlerësojnë se IA gjeneruese mund t’u kursejë atyre më shumë se një muaj në vit, duke krijuar hapësirë për punë më kuptimplotë.

Disa vlerësime parashikojnë se IA ka potencialin të automatizojë 40% të ditës së punës mesatare. Raporti i fundit i McKinsey, mbi ndikimin e mundshëm ekonomik të IA gjeneruese, tregon se cili mund të jetë kufiri i ardhshëm i produktivitetit.

Raporti studioi 16 funksione biznesi, duke analizuar 63 raste përdorimi, në të cilat teknologjia mund të zgjidhë sfidat specifike të biznesit, duke arritur një ose më shumë rezultate të matshme.

Këtu janë disa nga parashikimet kryesore mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese nga raporti McKinsey:

-Studimi i fundit i McKinsey vlerëson se Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund të shtojë nga 2.6 trilionë deri në 4.4 trilionë dollarë në vit, në 63 rastet e përdorimit të analizuara nga McKinsey.

Për krahasim, i gjithë Produkti i Brendshëm Bruto i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2021, ishte 3.1 trilionë dollarë. Kjo do të rriste ndikimin e së gjithë Inteligjencës Artificiale, me 15 deri në 40%.

-Rreth 75% e vlerës, që mund të japin rastet e përdorimit të IA gjeneruese, ndahet në katër fusha: operacionet me klientë, marketingu dhe shitjet, inxhinieria e softuerit dhe kërkim-zhvillimi.

-Inteligjenca Artificiale gjeneruese do të ketë ndikim të rëndësishëm në të gjithë sektorët e industrisë. Sektori bankar, teknologjia e lartë dhe shkencat e natyrës janë ndër industritë, që mund të shohin ndikimin më të madh, si përqindje e të ardhurave, nga IA gjeneruese.

-Inteligjenca Artificiale gjeneruese ka potencialin të ndryshojë anatominë e punës, duke rritur aftësitë e punonjësve duke automatizuar disa nga aktivitetet e tyre individuale.

IA gjeneruese dhe teknologjitë e tjera aktuale kanë potencialin të automatizojnë aktivitetet e punës, që zënë sot 60-70% të kohës së punonjësve. Përshpejtimi i potencialit të automatizimit teknik në pjesën më të madhe është për shkak të aftësisë në rritje të IA gjeneruese, për të kuptuar gjuhën natyrore, e cila kërkohet për aktivitetet e punës, që përbëjnë 25% të kohës totale të punës.

-Ritmi i transformimit të fuqisë punëtore ka të ngjarë të përshpejtohet, duke pasur parasysh rritjen e potencialit të automatizimit teknik.

Skenarët e përditësuar, duke përfshirë zhvillimin e teknologjisë, fizibilitetin ekonomik dhe afatet e përhapjes, çojnë në vlerësime se gjysma e aktiviteteve të punës së sotme mund të automatizohen midis viteve 2030 dhe 2060, me një mesatare në 2045, ose afërsisht një dekadë më herët se në vlerësimet e mëparshme.

-Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund të rrisë ndjeshëm produktivitetin e punës në të gjithë ekonominë, por kjo do të kërkojë investime për të mbështetur punëtorët, ndërsa ndryshojnë aktivitetet e punës ose ndryshojnë punë.

IA gjeneruese mund të rrisë produktivitetin e punës, mes 0.1 deri në 0.6% në vit, deri në vitin 2040, në varësi të shkallës së zbatimit dhe përdorimit të teknologjisë dhe rishpërndarjes së kohës së punëtorëve në aktivitete të tjera.

-Epoka e IA gjeneruese sapo ka filluar. Entuziazmi për këtë teknologji është i dukshëm dhe të dhënat e para janë bindëse. Por, një realizim i plotë i përfitimeve të kësaj teknologjie do të kërkojë kohë dhe drejtuesit e kompanive dhe të shoqërisë kanë ende sfida të konsiderueshme përpara. Këto përfshijnë menaxhimin e rreziqeve të natyrshme në IA gjeneruese, përcaktimin e aftësive të reja që do t’i nevojiten fuqisë punëtore, si dhe rishikimin e proceseve thelbësore të biznesit, si rikualifikimi dhe zhvillimi i aftësive të reja.

Potenciali i vlerës së IA gjeneruese ndryshon në varësi të funksionit të biznesit. Analiza e McKinsey te mbi 16 funksione të biznesit, identifikoi vetëm katër – operacionet me klientët, marketingu dhe shitjet, inxhinieria e softuerit, si dhe kërkimi e zhvillimi – që mund të përbëjnë afërsisht 75% të vlerës totale vjetore të rasteve të përdorimit të IA gjeneruese.

Një pikë shumë e rëndësishme e raportit të McKinsey, është kjo: “Përveç vlerës së mundshme, që IA gjeneruese mund të ofrojë në raste të veçanta përdorimi, teknologjia mund të sjellë vlerë në një organizatë të tërë, duke revolucionarizuar sistemet e brendshme të menaxhimit të njohurive”.

Ndikimi i IA gjeneruese sipas funksioneve të biznesit ndryshon, por raporti vë në dukje shembuj specifikë mjaft bindës: IA gjeneruese mund të rrisë produktivitetin e shitjeve me 3-5% të shpenzimeve aktuale globale të shitjeve. Në 63 raste përdorimi, IA gjeneruese ka potencialin të gjenerojë 2.6 trilionë deri në 4.4 trilionë dollarë në të gjithë industritë.

Raporti i McKinsey përfundon me parashikimin e ndikimit të IA gjeneruese në të ardhmen e punës, duke vënë në dukje se me kalimin e viteve, makinat u kanë dhënë njerëzve “superfuqi” të ndryshme.

Për shumë industri, IA gjeneruese, besimi, siguria e të dhënave dhe përmirësimi i përvojave dixhitale janë përparësitë kryesore të përmirësimit të përvojës së përgjithshme të klientit.

Burimi: ZDNET


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë