Teknologji dhe Inovacion

Inteligjenca artificiale DeepSeek e Kinës në radarin e sigurisë kombëtare të SHBA

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë implikimet e sigurisë kombëtare në inteligjencën artificiale (AI) kineze DeepSeek, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.

Njoftimi vjen pasi marina amerikane thuhet se i ndaloi anëtarët e saj të përdorin DeepSeek për shkak të “shqetësimeve të mundshme të sigurisë dhe etikës”.

Ndërkohë, krijuesi i ChatGPT, OpenAI, ka premtuar të punojë ngushtë me qeverinë amerikane për të parandaluar rivalët të marrin teknologjinë e saj.

Në fillim të kësaj jave, modeli i lirë por i fuqishëm i AI-së DeepSeek shkaktoi një rënie në stoqet e firmave të teknologjisë amerikane pasi investitorët vunë në dyshim miliarda dollarët që ata po shpenzojnë për infrastrukturën e re të AI.

“Unë fola me Këshillin e Sigurisë Kombëtare këtë mëngjes, ata po shqyrtojnë se cilat mund të jenë inmplikimet e sigurisë kombëtare,” tha Leavitt, e cila gjithashtu ritheksoi vërejtjet e Presidentit të SHBA Donald Trump një ditë më parë se DeepSeek duhet të jetë një thirrje për industrinë e teknologjisë në SHBA.

Sipas CNBC, marina amerikane i ka dërguar një email stafit të saj duke i paralajmëruar ata të mos përdorin aplikacionin DeepSeek për shkak të “shqetësimeve të mundshme të sigurisë dhe etikës që lidhen me origjinën dhe përdorimin e modelit”.

Duke folur në Fox Neës, i emëruar së fundmi cari i inteligjencës artificiale dhe kriptomonedhave i Shtëpisë së Bardhë, David Sacks, sugjeroi gjithashtu se DeepSeek mund të ketë përdorur modelet e zhvilluara nga OpenAI për t’u përmirësuar.

“Ka prova thelbësore se ajo që DeepSeek bëri është se ata morën njohuritë nga modelet e OpenAI. Unë mendoj se një nga gjërat që do të shihni gjatë muajve të ardhshëm është kompanitë tona kryesore të AI që ndërmarrin hapa për të provuar dhe parandaluar kopjimin. Kjo padyshim do të ngadalësonte disa nga këto modele kopjuese”, tha Sacks.

OpenAI i bëri jehonë kësaj në një deklaratë të mëvonshme që tha se kompanitë kineze dhe të tjera “po përpiqen vazhdimisht të kopjojnë modelet e kompanive udhëheqëse të AI në SHBA”.

Ndërkohë, DeepSeek thotë se ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike ku dhe është detyruar të kufizonte përkohësisht regjistrimet për shkak të “sulmeve me qëllim të keq në shkallë të gjerë” në softuerin e saj.

DeepSeek fitoi famë javën e kaluar, ndërsa ekspertët e AI lavdëruan modelin më të fundit të AI dhe njerëzit filluan të shkarkojnë chatbot-in e tij në dyqanet e aplikacioneve. Rritja e tij shkaktoi një rënie në stoqet e teknologjisë në SHBA, shumë prej të cilave që atëherë kanë rikuperuar pak terren.

Por industria amerikane e AI u trondit nga përparimi i dukshëm, veçanërisht për shkak të pikëpamjes mbizotëruese se SHBA ishte shumë përpara në garë.

Ekspertët thonë se SHBA ka ende një avantazh, është shtëpia e disa prej kompanive më të mëdha të çipeve dhe se është ende e paqartë saktësisht se si DeepSeek e ndërtoi modelin e saj dhe sa larg mund të shkojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë