Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% këtë vit, thekson raporti i fundit i Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare.
Për vitin 2023, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet po me 3.5%, nga 3.7% që ishte vlerësimi fillestar.
Edhe për vitin 2024 vlerësimi është ulur ku ritmet do të përshpejtohen lehtë në 3.7% por sërish do të jenë 0.2 pikë përqindje më pak se vlerësimi i parë.
Sipas raportit, krahasuar me rajonin, Shqipëria pritet të ketë rritjen e tretë më të lartë pas Serbisë (3.6%) dhe Malit të Zi (po me 3.6%). Ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.3%
Rritja më e ulët parashikohet për Bosnjë Hercegovinën me 1.4% dhe Maqedoninë e Veriut me 1%.
“Lufta në Ukrainë po jep qartë efekte negative në ekonomitë e 23 vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), por deri më tani shkalla e ndikimit ndryshon gjerësisht në të gjithë rajonin.
Çmimet e ushqimeve po rriten me ritme dyshifrore pavarësisht përpjekjeve për rregullimin e çmimeve në disa vende.
Një arsye kryesore për këtë është mungesa e furnizimeve në tregjet botërore për shkak të humbjes së eksporteve bujqësore ukrainase dhe ruse. Furnizimi më i ulët i plehrave si rezultat i luftës mund të kufizojë prodhimin e të korrave në shumë vende dhe të përkeqësojë më tej krizën ushqimore.
Në mënyrë shqetësuese, inflacioni bazë (duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë) po rritet gjithashtu në rajonin e EQLJ. Kjo sugjeron që inflacioni tani po bëhet gjithnjë e më i gjerë. Në terma makroekonomikë, inflacioni gjithnjë e më i lartë po redukton perspektivat e rritjes së rajonit duke gërryer të ardhurat reale të njerëzve. Nëse nafta dhe gazi duhet të racionalizohen në dimër, Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore mund të shkojnë në recession”paralajmëron raporti.
Instituti i Vjenës parashikon që inflacioni të mbetet i lartë në Shqipëri, në 6.1% për vitin 2022 dhe të ulet përkatësisht në 3.5 dhe 2.5% në dy vitet në vijim. Megjithatë ai mbetet më i ulët se vendet e tjera të rajonit.
Në muajin maj inflacioni u rrit në nivele dy shifrore për pjesën më të madhe të vendeve të rajonit të EQLJ-së. Në Shqipëri ai arriti në 6.7% duke shënuar nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko rriti dje (6 korrik) me 0.25% normën e interesit dhe tha se inflacioni pritet të shkojë në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Turqia po përballet me inflacion prej rreth 68% këtë vit, nxitur nga normat e saj reale ultra-negative të interesit si dhe nga inflacioni bazë i çmimeve të mallrave. Megjithatë, edhe anëtarët e BE-së të rajonit ka të ngjarë të shohin inflacion mesatar rreth 11% në 2022 sipas raportit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



