Histori

Instituti i Kavajës, si u ngrit e para shkollë amerikane në Shqipëri

Nga Blerina Goce - “Kur Shqiptarët të kenë një universitet, në të cilin do të vijnë studentë nga i gjithë rajoni i Ballkanit, unë besoj se problemi i Ballkanit do të zgjidhet”. Kështu do të shkruante në raportin e tij për Shqipërinë 100 vjet më parë, prof. Elmer E. Jones, Drejtor i Shkollës së Edukimit North-West University, në Evanston - Illinois, SHBA.

Këtë mision me shumë gjasë do ta përmbushte Instituti Amerikano-Shqiptar i Kavajës, i cili në 20 shtator shënoi 95-vjetorin e themelimit të tij.

“Instituti Shqiptar-Amerikan i Kavajës - Near East Foundation”. Golem 1934

Por cila është rëndësia e këtij institucioni dhe pse vlen të përkujtohet sot, gati një shekull pas krijimit të tij?!

Pikërisht, për të përkujtuar rëndësinë e këtij institucioni, si dhe për t'i vënë fre shkatërrimit në vazhdim të këtij institucioni, por edhe për të sjellë këto fakte historike me vlerë, që hedhin dritë edhe mbi raportet e Shqipërisë dhe SHBA dhe investimet amerikane në fushën e edukimit, në 20 shtator, në mjediset e “Tirana Ekspres” është shfaqur premierë dokumentari “Damnatio Memoriae”- Instituti Shqiptaro Amerikan i Kavajës, Near East Fondation, 1925 2020,  një realizim i artistit Dr.Shpend Bengu.

“Kjo nuk është një shkollë dosido. 100 vjet më parë, shteti shqiptar i kërkoi qeverisë amerikane një universitet. Mendohej të bëhej një projekt i ngjashëm me kampusin e Universitetit të North West, Ilinois, por që do të quhej “Universiteti Ballkanik” në Shqipëri, ku mendohej të përfshiheshin 10 mijë studentë të asaj kohe, të ardhur nga të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe nga Lindja e Afërme, kryesisht jetimët, që kishin mbetur gjallë nga Lufta e Parë Botërore.

Fondet për këtë shkollë janë hedhur nga njeriu më i besuar i tij, shoku i tij i fëmijërisë dhe është pikërisht ai që është pas kësaj aventure të madhe”, shprehet mes të tjerash Bengu për Gazetën “Si”.

Në këtë premierë mori fjalën dhe studiuesi Mal Berisha, i cili është autori i biografisë së Charlees Telford Ericson, (themeluesit dhe presidentit të kësaj shkolle), si dhe artikujve të botuar në mediat shqiptare për ndërgjegjësimin e publikut shqiptar në lidhje me shembjen e ansamblit të kësaj shkolle.

Ndërsa arkitekti, Dr. Skënder Luarasi i diplomuar në Yale University, foli për vlerat arkitektonike të këtij objekti të rrallë në Trashëgiminë e Arkitekturës në Shqipëri.

Për realizimin e dokumentarit, Dr. Shpend Bengu ka punuar për një periudhë gjashtëvjeçare në bashkëpunim me Kenneth Weissman- Drejtor Emeritus i Librarisë së Kongresit, Laboratori i Filmit, Regina Longo- pedagoge për Kulturën Moderne dhe Median në Broën University, me zotin Franco Tagliarini- Arkivi Francesco dhe Franco Tagliarini, Kevin B. Leonard- kuratorin dhe mbikqyrësin e arkivave të North Western University në Evanston, Illinois, si dhe me Iris Elezin- drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri.

 “Dokumentet ishin zhdukur thuajse të gjithë pas vitit 1944. Përveç dokumentacionit kryesor të Librarisë së Kongresit të siguaruar nga Keneth Weissman dhe Regina Longo, m’u desh të kërkoja në arkiva të ndryshëm. Për këtë dua të falenderoj dhe Z. Franco Tagliarini, nipi i vëllait i Mussolinit, i cili më solli arkivat e shkollës, apo Kevin B Leonard, që më mundësoi dokumente të Arkivave të North Western, ku gjeta dhe lidhjet që mungonin prej kohësh”, - thekson Bengu.

POLITIKAT AMERIKANE PËR ZHVILLIMIN E SHQIPËRISË

Shqipëria është quajtur:

“Toka e harruar e Europës”

“Hirushja midis Kombeve”

“Toka e Paradoksit”

“Çelësi për në Adriatik”

“Belgjika e Ballkanit”

Herman Bernstein, Ambasador i SHBA në Shqipëri

Kjo është shprehja, të cilën Shpend Bengu e ka përdorur si prolog në dokumentarin e tij, i cili tregon ndër të tjera se si, më 28 qershor 1919, presidenti amerikan Woodrow Wilson refuzoi kategorikisht të nënshkruante Traktatin e Paqes, derisa u rishkrua dhe u garantua e drejta e vetëqeverisjes për shqiptarët dhe minoriteteve të tjera etnike të rrezikuara.

Falë mbështetjes së madhe të presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris, Shqipëria shpëtoi nga planet copëzuese të fitimtarëve të luftës. Duke qenë pjesë e Lindjes së Afërt, Shqipëria nuk u la asnjëherë jashtë fokusit të politikës së Amerikës për zhvillimin e vendeve të Lindjes së Afërt pas Luftës së parë Botërore. Amerikanët i shihnin vlerat e tyre si universale dhe e shihnin qeverinë dhe shoqërinë e tyre si model për të tjerët.
Një nga organizatat humanitare amerikane të fillim shekullit të 20-të, që kishte si qëllim transformimin e vendeve të Lindjes së Afërme (përfshirë Shqipërinë), sipas modelit amerikan, ishte Near East Foundation (NEF)

Në shtator të vitit 1916, ish misionari James L. Barton dhe filantropisti njujorkez Cleveland H. Dodge, presidenti i “Near East Foundation”filluan fushatën për mbledhjen e fondeve për krizën humanitare në Lindjen e Afërme.

Në janar 1922, shteti shqiptar i kishte kërkuar shtetit amerikan, hapjen e një universiteti amerikan në Shqipëri.

Kryepeshkopi Blake, i Kishës Metodiste Episkopale Amerikanedërgoi në Shqipëri Prof. Elmer E. Jones, drejtor i shkollës së edukimit të Universitetit North-Western, në Evanston, me qëllim që të raportonte mbi kushtet dhe mundësitë e të ardhmes së arsimit në Shqipëri.

Profesor Elmer E. Jones, pas disa udhetimesh disa mujore në Shqipëri u kthye në Evanston dhe paraqiti raportin e tij të detajuar në Bordin e Misionit të Jashtëm të Kishës Metodiste Episkopale Amerikane, duke kërkuar me këmbëngulje hapjen e Uinversitetit Ballkanik në Shqipëri.

Raporti i Dr. Jones kërkon themelimin e një universiteti në Vlorë, ​​port detar në Adriatik, i drejtuar nga një staf amerikan me shqiptarë, që japin mësim literaturën e tyre.

Projekti Metodist u desh të braktisej, por ideja u vijua nga një grup qytetarësh të interesuar nën udhëheqjen e C. Telford Erickson.

Cleveland H. Dodge dhe Presidenti Wilson

Fondet për nderimin e fazës së dytë për tre godinat, të cilat bënin pjesë në fazën e parë të ndërtimit të kampusit universitar u siguruan nga fondacioni “Near East Foundation”, president i të cilit ishte Cleveland H. Dodge, miku më i ngushtë i presidentit Wilson.

ANGAZHIMI I MBRETIT ZOG

Në dokumentar tregohet dhe angazhimi i Mbretërisë Shqiptare për ndërtimin e kësaj shkolle.

“Jam i vendosur për të civilizuar popullin tim dhe t’u prezantoj atyre vlerat dhe traditat e civilizimit perëndimor”,- do të shprehej Mbreti Ahmet Zogu në një intervistë të kohës në Gazetën “Daily Telegraph”.

Mbreti Zog dhuroi një hapësirë prej tre hektarësh pranë Durrësit për ndërtimin e këtij institucioni.

Më 20 shtator 1925, misionari Charles Telford Erickson nga Nju jorku, i cili e kishte realizuar fazën e parë të ndërtimit të shkollës disa vjet më parë u emërua president i Institutit dhe dekani Ellmer E. Jones i Universitetit “North Western” në Evanton, Ilinois u zgjodh anëtar i bordit të të besuarve.

KALIMI NË DUART E ITALIANËVE

Me pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939, “Near East Foundation” largohet nga Shqipëria dhe shkollën e marrin në drejtim italianët, të cilët i vunë emrin “Instituti Agrar Arnoldo Mussolini” sipas emrit të vëllait të Duçes, i cili merrej me reformën fashiste në bujqësi.

Pas çlirimit, shkolla mori modelin sovjetik të kolkozeve, duke mohuar çdo lloj kontributi të eksperiencave amerikane në këtë shkollë.

Shkolla mori disa emra të tjerë derisa përfundoi e quajtur: Teknikumi Bujqësor “Ylli i Kuq”. Në vitin 2012, shkolla mori emrin “Shkolla Profesionale e Agrobiznesit “Charles Telford Erickson”.

ARKITEKTURA

Në një studim për Projektin e Universitetit Ballkanik në Shqipëri në fillim të shekullit XX, Dr. Shpend Bengu e cilëson Institutin Shqiptar-Amerikan të Kavajës, Near East Foundation, si model pedagogjik dhe estetik. Sipas artistit, Instituti Shqiptar-Amerikan i Kavajës, i “Near East Foundation”, është e vetmja gjurmë e arkitekturës moderne amerikane të fillim shek. XX.

Howard Raymond Meyer (1903–1988)

“Gjetja e fondeve për projektin e Insitutit Shqiptar-Amerikan të Kavajës me të cilin do të fillonte projekti për Universitetin Ballkanik në Shqipëri, u bë e mundur nga shoqata Near East Foundation, i cila e porositi atë në studion e prestigjioze të dezajnit arkitektonik "Thompson & Churchill" në Nju Jork. Për të vënë në jetë realizimin e projektit, studio përzgjodhi arkitektin dhe dizajnerin e ri të talentuar, pionierin e arkitekturës moderne amerikane, Howard Raymond Meyer (1903–1988)”, - vëren Dr. Bengu.

Për arkitektin Andi Papastefani, kampusi (qyteza e nxënësve) i Shkollës Bujqësore të Kavajës dhe është një shembull, që duhet të merret parasysh për planifikimin e kampuseve të universiteteve në ditët e sotme.

“Ishte një kompleks i thjeshtë në dukje, me tre ndërtesa kryesore dhe një numër ndërtesash funksionale të vendosura në një territor të bollshëm. Plani i Përgjithshëm i kampusit ishte i mirëmenduar dhe eficient. Parcelat bujqësore, pemishtet, kopshtet dhe ambientet sportive ishin vendosur (së bashku me ndërtesat që përmendëm), sipas një llogjike të fortë funksionale.

Kampusi ishte panoramik, qëndronte mirë në kodër dhe krijonte një siluetë të këndshme. Nga ndërtesat kishte pamje të mekullueshme të detit Adriatik dhe Gjirit të Durrësit. Kampusi i Shkollës Bujqësore të Kavajës është një shembull i mirë për tu patur parasysh në planifikimin e kampuseve të univesiteteve sot. Secila ndërtesë ishte studiuar mirë dhe kishte më shumë se një funksion”.

Përsa i përket aspektit multifunksional, siç vihet re edhe nga fotot, salla shërbente jo vetëm si mensë por edhe si hapësirë rekreative, si kinema dhe teatër. Karriget prej druri në plan të parë, janë të vendosura në drejtim të skenës që ishte pjesë e të njëjtës hapësirë, ku zhvilloheshin jo vetëm shfaqjet artistike dhe veprimtari të tjera të organizuara nga studentët dhe pedagogët e Institutit, por edhe projeksione filmash.

Kështu, Ndërtesa e Vajzave shërbente për studim, si atelie dhe për banim.

“Godina e dytë, godina industriale shërbente për stalla, sillosa (depo vertikale ushqimi për dimër) dhe oficina, ndërsa godina e tretë, ajo e Djemve, që sipas Dr. Shpend Bengut ishte influencuar nga silueta e Kalasë së Krujës, shërbente si mensë, sallë mbledhjesh dhe studimi, si dhe për shfaqje teatrale.”, shpjegon arkitekti Papastefani.

Sipas tij, ndërtesa e dytë ishte zemra teknologjike e shkollës bujqësore.

“Ka një siluetë të këndshme horizontale, që përfundon diku e sheshtë, e diku  e dhëmbëzuar sipas kërkesave teknologjike të ambienteve poshtë saj. Si element vertikal dominojnë dy silosat (depo vertikale për ushqim për bagëtitë gjatë dimrit), aq shumë të admiruara nga Le Corbusier. Në ambientin e stallave ishin pozicionuar në seri në të dy anët kubikët e lopëve, ku në secilën prej tyre, lopa (lopët e racës, që prodhonin një sasi të madhe qumështi ishin një risi) ushqehej, pastrohej dhe milej. Aq racionale ishte skema e stallës, sa ajo lejonte adaptimin dhe modernizimin e pajisjeve gjatë viteve pa ndryshuar skemën.  Këtë e shohim qartë në dokumentarin e profesor Shpendit.”,- vëren Papastefani.

Makineritë bujqësore, si traktorët dhe  plugjet metalike ishin një e re tjetër për të administruar sipërfaqe të mëdha bujqësore.

“Mirëmbajtja e tyre kryhej po në këtë ndërtesë”,- rrëfen Papastefani, ndërsa vijon me përshkrimin e godinës.

Sipas tij, ndërtesa e tretë është ndërtesa arkitektonikisht më e arrirë në stilin  organik (prairje style).

“Por, duke u bazuar tek profesor Shpend Bengu, me siluetë të ngjashme me kalanë e Krujës. Brenda kësaj ndërtese të këndshme hapej një hapësirë e madhe pa kolona me një konstruksion elegant, që i mundësonte sallës shumë funksione. Në një anë ishte një vatër e madhe ceremoniale, në anë të kundërt ishte një skenë për aktivitete teatrore. Kjo sallë përdorej për mensë, për lexim dhe për aktivitete teatrale”, shpjegon Papastefani.

Sipas tij, në kampusin e shkollës bujqësore të Kavajës gjejmë shembuj të arkitekturës organike (Praire Style Architecture) të formuluar nga arkitekti i madh amerikan, Frank Lloyd Wright.

“Dokumentari i profesor Shpend Bengut, bën të qartë lidhjen e Howard Meyer-it me Wright-in. Shkolla e Djemve bën pjesë në shembujt e parë të arkitekturës moderne në  Shqipëri”.

Po ashtu, në dokumentar tregohet se si Meyer, njihet si arkitekti dhe dizajneri i parë modern në Dallas, nga mesi i viteve 1930 e deri në vdekjen e tij më 1988. Ai lindi në vitin 1903 në qytetin e Nju Jorkut dhe ishte biri i një familje emigrantësh hebrej. Ai u diplomua në “Columbia University’s School of Architecture” në vitin 1928 dhe punoi si arkitekt në qytetin e Nju Jorkut nga viti 1929 deri në vitin 1934, për tu vendosur më pas në Dallas.

Në dokumentarin e tij, Dr. Shpend Bengu tregon se; ndërsa studionte në Columbia, Meyer ende student, në vitin 1926 punoi për William Lescaze, arkitekt me origjinë zvicerane, i cili synonte të fuste arkitekturën moderne në Amerikë. Lescaze, në atë kohë ishte një ndër arkitektet me modernë në Bregun Lindor. Gjatë këtyre praktikave, Meyer filloi të mrekullohej nga modernizmi europian. Pas diplomimit, për të ndjekur interesat e tij, ai ndërmori një udhëtim në Europë për të studiuar dizajnin nga modernistët kryesore të asaj periudhe. Ai takoi Le Corbusier (Charles-Edouard Jeanneret), një ndër arkitektët më me influencë të shek. XX dhe një nga figurat më të spikatura të lëvizjes moderniste. Gjatë qëndrimit në Europë ai vizitoi dhe kompleksin arkitekturial të Weissenhofsiedlung-ut, të sapopërfunduar në Shtutgart, si dhe u njoh me punimet e dezajnerve dhe arkitektëve të famshëm të asaj kohe si Ludwig Mies van der Rohe, Josef Frank, Walter Gropius etj.

“Në vitet 30, para se të fillonte punë në Thompson & Churchill, për një periudhë të shkurtër kohe, ai punoi për shoqërinë Bertram Grosvenor Goodhue, e cila kishte lidhje të forta me Frank Lloyd Wright. Në vitin 1930 Meyer, u dërgua nga studio Thompson & Churchill, për të drejtuar punimet në ndërtimin e Institutit Shqiptar-Amerikan të Near East Fondation në Kavajë, ndërtimi i të cilit do të ishte dhe fillimi i projektit për ngritjen e Universitetit Ballkanik në Shqipëri. Për punën e tij në kushte të vështira në Shqipëri, dhe për realizimin brenda afateve të kërkuara të projektit, Meyer fitoi besimin e studios Thompson & Churchill për të realizuar projekte të tjera në vazhdim.”, sjell në vëmendje profesor Shpend Bengu.

Arkivi i Meyer, që ndodhet në Alexander Architectural Archives në Universitetin e Teksasit në Austin, përmban më shumë se 240 projekte.

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Meyer realizoi disa akuarele ku një ndër më të bukurit dhe të rëndësishmit është “Albanian Landscape” që paraqet Gjirin e kavajës në Golem, i realizuar në vitin 1932, qe ipas prof. Ferid Hudhri, koha e krijimit të kësaj vepre me motive nga Shqipëria, përkon me hapjen e Ekspozitës së Parë Kombëtare të artistëve shqiptare.

Ky peizazh, vëren Dr. Shpend Bengu, ka një rëndësi të veçantë edhe për Historinë e Arteve Pamore në Shqipëri.

Filmi dokumentar, i realizuar nga Dr. Shpend Bengu, tregon se Ansambli arkitektonik i Institutit Shqiptar-Amerikan të Kavajës, si i vetmi monument i arkitekturës avangarde amerikane të shek XX, për vlerat artistike dhe historike që ka, i përket jo vetëm trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe asaj botërore.

“Për të realizuar projektin e Universitetin BalIkanik të Near East Foundation në Shqipëri, gjatë punës për ndërtimin e Institutit Shqiptar-Amerikan, Hoëard Meyer, i dha një rëndësi shumë të madhe ruajtjes së peizazhit si dhe harmonizimit të tij me ansamblin arkitektonik. Akuareli i realizuar prej tij nga kodrat e Golemit në Kavajë, tregon për rëndësinë që Meyer i dhe peizazhit të Gjirit të Kavajës”, vëren dr. Bengu.

 Peizazhi i tij, përmban vlera të mëdha nga pikëpamja dokumentare- historike dhe vlerat artistike.

“Në këtë projekt, përveç stilit internacional, Mayer, arriti të fusë edhe elementet e veçantë nga trashëgimia historike arkitekturore shqiptare. Për të krijuar elementin e të veçantës dhe individuales në këtë projekt, në respekt të ruajtjes së memories historike të arkitekturës shqiptare, ai mori si pikë referimi, siluetën arkitektonike të Kalasë së Krujës, e cila ka qenë dhe mbetet një simbol i kësaj trashëgimie”, vijon Bengu.

Kjo godinë, për veçoritë e saj, ka një vlerë të jashtëzakonshme edhe nga pikëpamja e dezajnit të interierit të aplikuar nga Meyer. Interieri i kësaj godine, shpreh karakteristika të rëndësishme të stilit internacional në interior-dezajn. E gjithë hapësira e brendshme, është konceptuar si një hapësirë multifunksionale.

Struktura e brendshme e mensës, është konceptuar në harmoni me stilin internacional të koncepteve avangardë për kohën, të Mies van der Rohe dhe Le Corbusier, por edhe është përpunuar nga Myer. Në këtë objekt, ai na paraqet një strukturë të lehtë, të balancuar dhe me një hapësirë të lirë dhe të konsiderueshme. Ky stil i dizajnit të brendshëm, e ka konceptuar brendinë e objektit si një hapësirë të hapur (open space) multifunksionale, pa kollona dhe pa ndarje të sipërfaqes, e cila në këtë rast, është një plan hapësinor që lejon një fluks të lirë. Aplikimi i teksturave të tullave të kuqe dhe elementeve të drurit, do të përdoret më vonë nga Meyer, në projektet e tij më të rëndësishme në SHBA, për të cilat ai është vlerësuar nga Shoqata e Arkiteketeve Amerikane, AIA.

Godina e Vajzave

Foto Dr.Shpend Bengu - 2015

                            

Foto: Mal Berisha – 2020

Godina e Vajzave, gusht 2020

Fatkeqësisht, në vazhdën e ndërhyrjeve abuzive në ansamblin arkitektonik të Institutit Shqiptar-Amerikan të Kavajës, gjatë pothuajse një shekulli nga ndërtimi i tij, Godina e Vajzave u prish plotësisht, pikërisht në korrik të këtij viti, ndërsa objekti më i rëndësishëm i këtij ansambli, Godina e Djemve (Shkolla e Djemve), e cila ka shërbyer edhe si kinema dhe teatër është në prishje e sipër, si rezultat “i shkatërrimit, që sjellin padija dhe të qenurit i mësuar keq”.

Salla e mensës, kinemasë dhe teatrit në Godinën e Djemve, më 26 shtator 2015. (Foto: Dr. Shpend Bengu)

Salla e mensës, kinemasë dhe teatrit në Godinën e Djemve, më 20 korrik 2020. (Foto: Mal Berisha)

“Tri godina si strehë mbrojtëse dhe edukatore, tri kala për t’u mbrojtur nga shkatërrimi që sjellin padija dhe të qenurit i mësuar keq” (Minerva Nr. 9 - 15 Prill 1933)

1933  - GODINA TË REJA SHKOLLORE NË KODRËN GAZDARE

Midis Durrësit e Kavajës, në një kodër e quajtur Gazdare, tek e cila nuk shkelte ndofta veçse këmba e një bariu me dele, tri godina të reja u ngrehën, si me shkop magjik. Tri godina për të përmbledhur djemt e shpërndarë të katundarit, bujk ose bari, e për t’i ushqyer ata me dritën e kulturës praktike , për t’u mësuar atyreve se si njeriu mund të përfitojë më shumë nga gjiri i mëmës Tokë e nga gjiri fisnik i lopes e të deles.

Tri godina si strehë mbrojtëse dhe edukatore, tri kala për t’u mbrojtur nga shkatërrimi që sjellin padija dhe të qenurit i mësuar keq.

Këto kala u ngrehën në kodrën e Gazdares prej amerikanëve, si shënjë dashurie për shqiptaret, si penk të një miqësie të vërtetë e të madhe, të një mirësie mirbërëse që s’pret shpërblim veçse kënaqësinë që ndjen njeriu kur sheh se vërtetohet ndonjë nga idealet njerëzor.

Nuk e di në vijnë mu në kohë këto fjalët e mia tamam pas ca ditësh që Shteti Shqiptar vendosi mbylljen e shkollave private. Por ne po bëjmë fjalë nga ndjenjat e çmuara të miqësisë s’amerikanëve, të përfaqësuarë nga Near East Foundation, kundrejt shqiptarëve.

Të tri kalat, pra, q’u-ngrehën në Gazdare, u-ngrehën me qëllim që në njërën të rinë, të hanë, të bisedojnë e të mësohen djemt e katundarëve, në tjatrën të flenë.

Godina e tretë është bulmetoreja ku i biri i bujkut do të mësojë dhe do të stërvitet se si t’a mjelë lopën e se si të marrë më shumë prodhim, e më të mirin, nga qumështi. Po në këtë godinë gjendet edhe streha e lopëve të races të prura nga Amerika.

N’inaugurimin e këtyre godinave u gjënden afro 500 vetë, t’ardhur nga Tirana, nga Durrësi, nga Kavaja e nga rrethi i saj. Ministra, thuajse krejt trupi diplomatik, Gjeneral Percy me dy majorë organizator të gjendarmërisë, ish ministra e deputete, kryetarët e Komunitetit muslimanë, një tok intelektualë dhe njërëz të fjeshtë ndodheshin atje. Sidomos ndodheshin një tok katundarë që në syt e tyre plot me shënjë mirnjohjeje këndohesh edhe shkëlqimi i krenarisë që rjethte nga të ndierit vetëhen zotrit e vendit, zotrit e këtyre godinave të reja shkollore.

U bënë fjalime shumë të mënçme plotë rëndësi. Po kuptohet vet-vetiu se as mund t’I botojmë, as mund t’I komentojmë të tërë ata fjalime, pse janë shumë të paka shtyllat e Minerve-s.

Po i japim fund, pra këtij që do të kishim dashur t’ishte më i gjatë dhe e mbyllim fjalën me ndjenjën më të kulluar të mirënjohjes e të respektit kundrejt atyreve që patën mirësinë të mendojnë djemt t’onë e t’u përgatisin kalara kundër pa dijes dhe të mësuarit keq.   

(Postim i Sh.Bengut)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë