Njerez

Institucionet nuk mbrojnë gratë e dhunuara as pas ‘porosive’ të KLSH

Nga Gazeta Si- Sistemi për mbrojtjen e grave të dhunuara nuk i ka ‘bashkuar’ institucionet, të cilët, as pas rekomandimeve të dhëna nga KLSH në 2023, nuk kanë marrë masat e duhura për të mbrojtur gratë e dhunuara.

Pavarësisht nga masat e marra, shkruhet në raportin e fundit të KLSH, niveli i zbatimit të plotë të rekomandimeve është i ulët, rreth 13%.

“Për disa nga masat e lëna institucionet nuk kanë mundësuar realizimin e tyre”, shkruan KLSH, duke shtuar se rëndësia dhe ndjeshmëria e temës kërkon më tepër impenjim nga institucionet për përmbushjen e rekomandimeve të lëna.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Këshilli i Qarkut Tiranë si dhe Bashkitë Durrës, Gjirokastër dhe Kukës, në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH-ja, rezulton se kanë pranuar 24 masat e rekomanduara por, që prej 2024, vetëm 3 rekomandime janë zbatuar, 7 janë zbatuar pjesërisht dhe 14 janë në proces zbatimi.

Si fillim, legjislacioni ka pasur mangësi në evidentimin e përgjegjësive të personave që janë pjesë e sistemit për masat parandaluese, por edhe për drejtuesit e pushtetit vendor që nuk përmbushin detyrimet ligjore për rehabilitim e viktimave të dhunës në familje si pjesë e mbrojtjes që parashikohet.

“Ka munguar gjithashtu bashkëpunimi ndër institucional i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Ministrinë e Brendshme dhe/ose Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për të evidentuar dhe marrë masat e nevojshme sensibilizuese të cilat kanë impakt të lartë social”, thuhet në raport.

KLSH rekomandon që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të marrin masa për të propozuar ndryshime ligjore ku të kërkohet ashpërsimi i legjislacionit, që përfaqësuesit që nuk përmbushin detyrimet ligjore për parandalimin e dhunës në familje dhe masave mbrojtëse, në veçanti kur nga mosveprimet e tyre janë shkaktuar dëmtime të rënda në marrëdhëniet familjare ose viktima, të vihen para drejtësisë.

KLSH raporton se midis anëtarëve të ekipit teknik ndërdisiplinor që trajton rastet e dhunës në familje dhe Koordinatorëve Vendor në bashki për referimin e rasteve të dhunës, ka munguar ndërveprimi dhe komunikimi i duhur zyrtar.

KLSH ka konstatuar se mungon një plan buxhetimi në tërësi dhe në mënyrë analitike lidhur me fushatat sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës ndaj grave e vajzave, në institucionet qendrore (MSHMS, MAS, MB e MD) dhe ato vendore ku përmenden drejtoritë rajonale në qarqe dhe zyrat e shërbimit social në bashki.

Gjithashtu, është evidentuar mungesë bashkëpunimi me shoqatat e organizatat e shoqërisë civile dhe ka munguar financimi për organizatat e shoqërisë civile, si një faktor me ndikim të madh, në kryerjen e aktiviteteve sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës në familje.

“Nuk është siguruar një shpërndarje e drejtë e aktiviteteve në zonat e vendit pasi shoqatat janë më të përqendruara në Tiranë, Durrës e qytete të tjera të mëdha, çka ka lënë jashtë vëmendjes qytetet e vogla dhe zonat e largëta rurale”, thuhet në raportin e KLSH.

Ndërkohë, as nga ana e Policisë së Shtetit nuk është punuar vazhdimisht me bazë risku, ku vihet re se nuk ka programe të veçanta të miratuara për fushata parandaluese apo aktivitete të ndryshme ndërgjegjësimi në komunitet.

Gjithashtu, mungojnë trajnimet e dedikuara për punonjësit që punojnë në zonat me risk të lartë për krime dhune ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje, çka ndikon si në aspektin e mos deklarimit të rasteve nga viktimat, por edhe në mbrojtën e viktimave të dhunës si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të dhunuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë