Gazeta “Si“-Përgjatë vitit 2021 veprat kriminale u rriten në vendin tonë. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, kryesojnë vrasjet me dashje dhe krimi në fushën e drogës
Të dhënat tregojnë se janë regjistruar 61 vrasje me dashje. Më tej në raportin e INSTAT thuhet se gjatë vitit 2021 janë evidentuar gjithsej 35.175 vepra penale, 7,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.
Në raport me popullsinë në vitin 2021, janë evidentuar 125,1 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 115,4 që ishin në vitin 2020.


Autorë të veprave penale
Në vitin 2021, janë regjistruar 39.328 autorë për vepër penale, 4,0 % më pak, krahasuar me vitin 2020.
Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2021 është 35.745 ose 1,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.
Lidhur me moshën e autorëve, sipas të dhënave të INSTAT përgjatë vitit 2021 më të përfshirë në botën e krimit është grup mosha 30-44 vjeç.
Ndërkaq 28,1 % e autorëve janë të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % janë të grup-moshës 45-59 vjeç.


Të dëmtuar
Në vitin 2021, janë regjistruar 16.910 persona të dëmtuar, 5,2 % më pak, krahasuar me vitin 2020. Të dëmtuarit për krime kundër personit përbëjnë 37,9 % të totalit.
Në vitin 2021, në totalin e të dëmtuarve për krime kundër personit, femrat përbëjnë 27,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.


Procedime penale
Në vitin 2021, numri i procedimeve penale të regjistruara është 28.349 ose 1,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Nga 25.688 procedime penale të përfunduara, 23,3 % e tyre janë pushuar, 34,7 % janë pezulluar dhe 42 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.


Të pandehur
Në vitin 2021, janë regjistruar 16.196 të pandehur, 20,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Meshkujt përbëjnë 94,9 % në totalin e personave të pandehur.

Të burgosur
Në vitin 2021, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4.956, ose 7,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Në raport me popullsinë, në 2021 janë 18 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 16 të burgosur që ishin një vit më parë.


Meshkujt përbëjnë 98,7 % të totalit të të burgosurve. Grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë. Personat mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë normën më të ulët të të burgosurve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




