Ritmet e larta të emigracionit, plakja e popullsisë dhe ndikimet e Covid-19 kanë sjellë një rënie të popullatës shqiptare përgjatë vitit 2021.
Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, popullsia e Shqipërisë rezulton të jetë 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me vitin 2021.
“Gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative”, thuhet në raportin e INSTAT.
Një ndër arsyet për uljen e popullsisë renditet rritja e ndjeshme e emigracionit. Numri i emigrantëve ishte 42.048 persona ndërsa numri i imigrantëve ishte 9.195 persona. Nga të dhënat rezulton një rritje e moshës mesatare të popullsisë. Sipas INSTAT, Në 1 janar 2022 mosha e mesme e popullsisë rezulton 38,2 vjeç nga 37,6 që ishte më 1 janar 2021.
“Në 1 janar 2022 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua krahasuar me 1 janar 2021: nga 24,2 % në 24,0 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 22,3 % në 23,1 % gjatë të njëjtës periudhë”, përcaktohet në raport.
Ndër të tjera raporti shkruan se gjatë vitit të shkuar kanë lindur, 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2022 ka pësuar rënie në krahasim me 1 janar 2021: nga 99,3 në 98,6 meshkuj për 100 femra.
Numri i vdekjeve në 2021 ishte 30.580 persona, duke pasur një rritje prej 10,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Lidhur me popullatën e qyteteve Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.
Sipas të dhënave më 1 janar 2022 Tirana zë rreth 32,9 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,4 % dhe 10,0 % përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej.
Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 4,7 %), Berat (- 3,7 %) dhe Dibër (- 3,6 %).
INSTAT përshkruan se qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,5 %), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (26,2 %), ndjekur nga qarku i Lezhës me (26,1%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.