Menaxhim

Inspektoriati i Mbikëqyrjes: Ashensorët e paregjistruar po rrezikojnë jetën e shqiptarëve

Nga Gazeta ‘SI’ – Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ISHMT, ka bërë një apel publik për rrezikun e përdorimit të ashensorëve të paregjistruar, të cilët mund të rrezikojnë qytetarët dhe të përfundojnë në fatalitet.

Inspektorati thekson se siguria e ashensorëve nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor që duhet të kryejë çdo administrator rezidence dhe kompani. Ata duhet të regjistrojnë çdo ashensor pranë ISHMT-së, të sigurojnë kontrata mirëmbajtjeje me specialistë të kualifikuar dhe të kryejnë inspektime teknike periodike. Ashensorët në pallate duhet të kontrollohen të paktën një herë në vit, ndërsa ata në ambiente pune më shpesh. Pa këto masa, përdorimi i ashensorit konsiderohet i paligjshëm dhe i rrezikshëm.

Apeli vjen ndërsa një pjesë e konsiderueshme e ashensorëve në vend janë të vjetër ose nuk menaxhohen sipas ligjit. Qytetarët dhe administratorët duhet të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, pasi siguria e ashensorëve është çështje jetike për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit. ISHMT paralajmëron se çdo shkelje mund të çojë në masa administrative, përfshirë ndalimin e përdorimit të ashensorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë