Gazeta Si – Holanda e ka shtyrë kualifikimin për në 1/8-at pas barazimit me Ekuadorin, por ka dalë fitimtare në fushën e solidaritetit. Sipas ‘De Telegraaf’, fanellat që holandezët mbajtën në ndeshjen me Senegalin u shitën në ankand për 60 mijë euro dhe kjo shumë do të shkojë për bamirësi.

Të ardhurat do të shpërndahen për punëtorët emigrantë, të cilët mundësuan ndërtimin e stadiumeve, që po presin Botërorin. Por ankandi do të vazhdojë. ‘Tulipanët’ kanë vendosur që edhe fanellat e ndeshjes me Ekuadorin dhe ato të ndeshjes së tretë në grup me Katarin të shiten në të njëjtën mënyrë. Dhe sërish të ardhurat do të shkojnë për emigrantët.
Sipas ‘MatchWornShirt’, fanella e kapitenit Virxhil van Dijk është ajo që u shit më shtrenjtë, gati 5000 euro. Të çmuara janë edhe fanellat e shënuesve Kodi Gakpo dhe Dani Klasen, si dhe ajo e debutuesit Andries Nopert, me shitje nga 2800 deri në 3603 euro.
Ankandi i fanellave të Holandës nis menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të çdo ndeshjeje dhe vazhdon deri tek ajo e radhës.

Van Dijk ka shpjeguar se ishte një ide e skuadrës: “Duam të japim një kontribut konkret për të drejtat e njeriut dhe të punëtorëve. Para së gjithash, duam të tërheqim vëmendjen për situatën e tyre në këtë skenë. Pastaj duke mbledhur të ardhura nga ankandi i fanellave të kompeticionit për t’i shpërndarë si ndihma”.
Mbrojtësi foli edhe për barazimin me Ekuadorin: “Ishim përgatitur mirë, por Ekuadori ishte më brilant nga pikëpamja fizike. Vuajtëm superioritetin e tyre, por në kushte të caktuara është e rëndësishme të marrësh rezultat. Nëse nuk fiton, është thelbësore të mos humbësh. Barazimi ishte i rëndësishëm dhe tani të përqendrohemi tek e ardhmja, duke u përmirësuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



