Njerez

Inge Feltrinelli: Perandoresha e fundit e botimeve

Paolo di Stefano/Corriere della Sera - Inge Schönthal kishte lindur më 1930-ën, në Essen, Gjermani, nga një baba me prejardhje hebraike, drejtor i një industrie të madhe tekstile. Mbante mend se mëngjesin  pas Natës së Kristaleve, i ati e çoi të shihte rrënojat prej nga ende dilte tym, të sinagogës. Kur i ati u arratis në Holandë, për të emigruar më pas në Amerikë, Inge-ja, me të ëmën dhe bashkëshortin e saj të dytë, një oficer i kalorësisë, lë qytetin për të ndjekur shkollën në

Göttingen.  Përshkruhej si një vajzë pa ndonjë talent të veçantë “por e gjallë, e gëzueshme, tejet kureshtare dhe e pajisur me një dozë të mirë paturpësie”: një selfie i përsosur, i destinuar të mbetet i vlefshëm edhe në të nesërmen, në kujtimin e ardhshëm të kësaj gruaje që për magjepsje e simpati – cilësi themelore (dhe të rralla) për një botues – forcë e karakterit dhe gëzimit ngjitës. Në fakt, talentin e kishte dhe ishte, përtej kureshtjes, aftësia për të nuhatur dhe trajtuar njerëzit. Një talent njerëzor më shumë sesa intelektual.

E pagëzuar me ritin ungjillor-luteran, mbetet njësoj jashtë shkollës dhe vetëm pas rënies së Hitlerit,  i hapen sytë mbi çka ishte nazizmi, përfshi faktin se njerku i saj, aq i dashur, ishte nga ana e Führer-it.  I duhet ta lërë familjen dhe ikën në arratisje nga tragjedia historike që ka jetuar pavetëdijshëm. “Vajza ngjan si një përzierje mes Audrey Hepburn dhe Leslie Caron.”

Inge Feltrinelli me të shoqin dhe  të birin. 

Kështu e imagjinon i biri, Carlo-ja,  në shërbimin përkujtimor të familjes, atë grua të re që nisi karrierën  e fotoreporteres në Hamburg dhe që, më 1952-shin, falë një pronari anijesh, niset me një transoqeanik luksoz drejt e për Nju Jork, ku miqtë gjermanë e njohin me nipin e J.P. Morgan, pranë të cilit jeton. Atë që do e kish quajtur “epoka e artë” janë vitet ku ka liri hyrjeje në mjediset e shtëpive botuese dhe gazetave, të letërsisë dhe kinemasë me një aparat fotografik në dorë.

Është padyshim një grua me fat që di të kapë çastin vendimtar; fotografon Greta Garbo-n në

Madison Avenue, Elsa Maxwell-in, Elia Kazan-in, John Fitzgerald Kennedy-in, Winston Churchill-in. Pastaj Pablo Picasso-n, Ernest Hemingway-in në fermën Vigia, Gary Cooper-in, Gérard Philippe-in, Anna Magnani-in… Kthehet në Hamburg, por nuk ndalet kurrë në një vend dhe për katër vjet udhëton për të shkruar reportazhe për revistën «Film&Frau»:  hyn në skenën e politikës, spektaklit dhe letërsisë. Mbrëmjen e 14 tetorit të vitit 1958, në Hamburg, duke u kthyer nga Gana, në një festë në zyrat e botuesit Rowohlt, takon Giangiacomo Feltrinelli-n, botuesin milanez, miliarder dhe revolucionar, që sapo ka shpërndarë në botën perëndimore romanin e Pasternakut. “I prezantova, u pëlqyen, do të thosha se u interesuan menjëherë, kur lanë festën, besoj se nuk kishin më nevojë për njeri tjetër...” rrëfente Rowohlt.

E mësuar të jetonte “pa rrjetë sigurie”, duke luajtur, rrezikuar,  Inge-ja u transferua në Milano në fund të vitit, pikërisht në muajt kur Feltrinelli po botonte  “Il Gattopardo”,  një  bestseller të ri, këtë herë italian e për më tepër të shkruar nga një i panjohur, tashmë shumë i famshëm, i ndarë  nga jeta një vit më parë.

Inge dhe i shoqi Giangiacomo Feltrinelli

Martohen në Meksikë në shkurt të vitit 1959: Për Giangiacomo-n është martesa e tretë. Udhëtojnë kudo, bota  e botimeve ndërkombëtare është në këmbët e tyre, veçanërisht në ShBA, ku  Feltrinelli është një mit i ri, i gjallë, për  intelektualët progresistë, por një komunist i papëlqyer nga establishmenti. Edhe falë marrëdhënieve publike për të cilat është e zonja Inge-ja, Henry Miller, James Baldwin, Arthur Miller, Karen Blixen afrohen drejt shtëpisë botuese. Më 1962-shin lind Carlo-ja, i destinuar të pasojë të atin. Dy vjet më vonë, Giangiacomo dhe  Inge, ndodhen në Havana për të punuar me Fidel Castro-n, për biografinë e tij, të ftuar në apartamentit private të udhëheqësit.

Inge dhe Ernest Hemingway

Kohët bëhen më pak të lulëzuara pa ’67, kur Giangiacomo –ja hidhet në gjëra ilegale,  duke i lënë gruas drejtimin kompleks të shtëpisë botuese, me frikën se mos arrestohej ndërsa projektonte revolucionin , duke e parë të pashmangshëm për Italinë grushtin ndaj shtetit fashist.

Prej vitit 1972, me vdekjen tragjike dhe të mistershme të të shoqit, që ndërkohë ka kremtuar në Carinzia martesën e katërt,  Inge-ja gjendet mes stuhisë: është ajo që kujdeset të zgjidhë fatet e Feltrinelli-t, duke i besuar intuitës ,entuziazmit dhe joshjes në marrëdhënie me autorët e saj. Duke i besuar me vendosmëri edhe pasojave; i pari është ai i dizajnerit dhe filozofit argjentinas Tomàs Maldonado, me të cilën Inge-ja do të rrijë e lidhur dhe do të jetë “një shtyllë morale” për familjen dhe shtëpinë botuese. Por edhe duke besuar tek vizioni i saj: si për shembull të besonte në shpërndarjen kapilare të librarive Feltrinelli (me qindra), krijuar nga Giangiacomo-ja si një sipërmarrje origjinale civile,  në Italinë e pasluftës.

Inge dhe Gunther Grass

Vitet e parë ’80 janë më të këqnjtë, me dënimin për shpifje të  Camilla Cederna-s mbi presidentin Leone, por Inge-ja di të rrethohet nga bashkëpunëtorë dhe drejtues në klasit të parë:  Franco Occhetto, Sandro D’Alessandro, Gabriella D’Ina, Alberto Rollo, Giulia Maldifassi, Francesco Cataluccio. Dhe është gjithmonë Romano Montroni, ai që drejton libraritë. Në fazat më të vështira, do të dalin, pas serisë amerikano-jugore, romanet e  Saramago-s, Pennac-ut, Yoshimoto-s, Amos Oz-it, Tondelli-t, Benni-t, Tabucchi-t, Celati-t, Starnone-s, De Luca-s, Maggiani-t dhe shumë autorëve të tjerë. Me diksionin gjerman që nuk e kishte pastruar kurrë, me theksin shpesh të gabuar, Inge Feltrinelli ishte një tregimtare e jashtëzakonshme verbale: rrëfente me entuziazëm takimin në Kubë me Hemingway-in, pre e alkoolit, festat në Frankfurt me   Wagenbach-un dhe Fischer-in, bastisjet me Vázquez Montalbán-in  në markatën e peshkut të Barcelonës, fitimin e zjarrtë të Marguerite Duras me tekat e saj (“Dashnori” më 1985-ën shërbeu për t’i dhënë frymëmarrje shtëpisë botuese), afërsinë me Nadine Gordimer dhe Doris Lessing, rreptësinë e Max Frisch-it, ankthin e Isabel Allende-s pas vdekjes së të bijës. Dhe miqësinë e ngushtë me Antonio Tabucchi-n, vizitën tek plaku “i prapë’ Charles Bukowski në shtëpinë e  San Pedros, mustaqet e pabindura të Günther Grass-it dhe supat e famshme të peshkut, karizmën e Gabo-s prej divi hollivudian, pas Nobelit.

Feltrinelli dhe Charles Bukowsky

Kurrë një fill nostalgjie në ato rrëfime, vetëm për kënaqësi intelektuale dhe përsëritje njerëzore ndaj së tashmes. Inge-ja ishte bërë mbretëresha e botimeve, më shumë se një lloj ministreje e punëve të jashtme të librit, një minë e shpërndarë të qeshurash dhe entuziazmi, nëpër botë.

Presidente e shtëpisë botuese, kthyer në “holding”, në krah të të birit Carlo-s, administrator i deleguar: “Ai mendja, unë shpirti’, thoshte, por shpesh këmbenin rolet. As detyrat apo njohjet dhe nderimet ndërkombëtare, suksesi, rimëkëmbja, kontratat, as pleqëria, nuk kishin arritur ta zbutnin. Pak ditë më parë, më 20 shtator, u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, “Ishte vullkan i vërtetë idesh, kureshtish dhe mirësjelljeje”, e përshkruante dikur shkrimtari Amos Oz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë