Treg

Inflacioni zbriti lehtë në qershor por ushqimet vijojnë të jenë më të shtrenjta se vitin e shkuar

Nga Gazeta ‘Si’-Inflacioni në qershor ka rezultuar 4.5%, me një rënie të lehtë prej 0.2% nga muaji maj.

Në të njëjtën periudhë një vit më parë, inflacioni ishte në nivelin 7.4%.

Në raport vjetor, rritja më e madhe vërehet në grupin e “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë”, me 10.3% secili.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën rritjen më të madhe, me 26.1 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14.4 %, “mish” me 10.9 %, “fruta” me 9.6 %, “peshk” me 9.0 %.

Edhe grupet e tjera gjithashtu kanë ndikuar në rritje përveç grupit të transportit ku çmimet shënuan ulje me 16.2%.

Inflacioni në raport mujor

Ndërsa në raport mujor, krahasuar me majin, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1.2 % pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 0.3 %.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1.8 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0.4 %.

Pavarësisht rënies së lehtë në qershor, tendenca e tkurrjes së çmimeve është shumë më e ngadaltë sesa në eurozonë. Më herët Eurostat bëri të ditur se inflacioni në 20 vendet e Eurozonës, ra në 5.5% këtë muaj, nga 6.1% në maj.

Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 3%. Norma bazë është instrumenti kryesor që përdor banka për të luftuar presionet inflacioniste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë