Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni në Shqipëri, rezultoi 7.1% gjatë muajit shkurt 2023, me një rënie të papërfillshme nga muaji janar, me vetëm 0.1 pikë përqindje.
Ulja minimale e inflacionit në raport mujor lidhet me vazhdimin e rënies së çmimeve të naftës, me rreth 3%. Por ndërkohë, produktet kryesore të shportës kanë vijuar me rritje. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 3.3% nga janari në shkurt, pasur nga mobilje, pajisje shtëpie me rreth 1% rritje etj. Gjithsesi, rritjet janë po ashtu minimale dhe të ngadalta, por ende jo në tendenca rënëse.
Në raport vjetor, ndryshimet janë më të mëdha, drejtuar përsëri nga grupi i ushqimeve dhe pijeve, rritur me rreth 14%. Mobilje, pajisje shtëpie me 7%, hotele, kafene dhe restorante 6%. Grupi me rritjen më të lartë të çmimeve nga shkurti 2022 në shkurt 2023 është ai i produkteve qumësht, djathë dhe vezë, 28%, pasuar nga vajrat/yndyrnat 17.4%, peshk 16.3% etj.
Shkurti i vitit të kaluar nuk ishte ndikuar ende nga kriza e çmimeve që preku të gjithë Europën në një efekt domino, pas pushtimit rus në Ukrainë, i cili nisi në fund të muajit shkurt. Efektet më të forta u pasqyruan tremujorin e dytë të vitit të shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.