Njerez

Inflacioni po na streson

Inflacioni është bërë bisedë e pranishme në çdo tavolinë prej disa kohësh tashmë dhe kjo vjen me një kosto të madhe… jo vetëm monetare.

Psikologia Lorela Garuli thotë për Gazetasi.al se fakti që ne shikojmë shumë agresivitet në rrugë, shumë zemërim apo nervozizëm, shpjegohet edhe nga frustrimi, pamundësia për të pasur një jetë dinjitoze dhe në kushte normale, një rrjedhojë e rritjes së çmimeve.

Një shqetësim kryesor për shumë familje tani është inflacioni i lartë, i cili ka tejkaluar rritjen e pagave.

Garuli thotë se rritja e çmimeve ndikon më shumë edhe për faktin se janë rritur vetëm cmimet, jo të ardhurat.

“Ka një rritje artificiale të çmimeve dhe çdo lloj shërbimi që marrim. Kjo në terma psikologjik sigurisht që vetëm i nervozon njerëzit në momentin që të ardhurat janë të njëjta dhe çmimet janë rritur”, thotë Garuli duke shtuar se plotësimi i nevoja jetike bazë, ushqimi, veshja, siguria, shkollimi janë ndër nevojat primare që duan individët dhe në shumë familje janë cënuar pikërisht këto nevoja. Kjo e bën shumë të vështirë situatën në Shqipëri, kryesisht për kryefamiljarët që duhet t’u përgjigjen po njësoj si më parë nevojave të familjes dhe kjo krijon shumë stres.

“Në total mund të thuhet me bindje që rritja e inflacionit ka dëmtuar cilësinë e jetës”, thotë Garuli.

A janë stresuar vetëm shqiptarët?

Një studim i Shoqatës Amerikane të Psikologjisë zbuloi se problemet financiare përbëjnë një nga burimet më të mëdha të stresit për amerikanët. Një sondazh i veçantë nga US News & World Report zbuloi se më shumë se dy të tretat e amerikanëve kanë përjetuar “ankth financiar” për shkak të rritjes së kostove, inflacionit dhe jetesës.

Një sondazh në internet me 2 mijë britanikë ka zbuluar se inflacioni është shkaku kryesor i stresit për Britanikët.

Më shumë se një e treta (34 për qind) thanë se inflacioni është shkaku kryesor i stresit dhe 30 për cent thanë se shëndeti i tyre mendor është përkeqësuar që nga pandemia dhe po vazhdon të përkeqësohet edhe nga inflacioni.

E njëjta situatë paraqitet në shumë vende të botës ku studimet tregojnë se më të prekurit janë të rinjtë.

Megjithëse të moshuarit ishin në një rrezik shumë më të lartë të vdekjes nga Covid-19, sondazhet tregojnë se të rinjtë morën goditjen më të madhe psikologjike gjatë pandemisë. Psikologu Jean Twenge i Universitetit Shtetëror të San Diegos thotë se “për të rinjtë, ka të bëjë me mënyrat se si ata bëjnë kalimin drejt moshës madhore dhe frikën e tyre për të ardhmen”.

Recesioni i Madh i vitit 2008 pati ndikime afatgjata te mijëvjeçarët, brezi që po kalonte në moshën madhore kur goditi ajo krizë financiare. Sipas sondazheve, mijëvjeçarët “shtynë” dëshirën për të krijuar një familje dhe për të blerë një shtëpi për shkak të krizës.

“Një model i ngjashëm mund të shihet tek të rinjtë e sotëm”, thotë Twenge.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë