Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni në muajin nëntor 2023 pësoi një rritje të lehtë nga tetori, duke arritur në 3.9%. Sipas INSTAT, shumica e grupeve kanë pasur ulje të lehtë, nga ushqimet tek sektori i argëtimit, por vërehet një shtrenjtim i veshjeve dhe këpucëve me 0.2% si edhe qirasë, energjisë e ujit me 0.1%.
INSTAT raporton se edhe transporti, që nënkupton çmimet e karburanteve ka rënë me 0.3% nga tetori në nëntor 2023. Pas mbarimit të sezonit veror 2023, inflacioni në vend u rikthye në një trend rritës, ndikuar nga çmimi i hidrokarbureve dhe ushqimeve.
Në raport vjetor, inflacioni është rreth 4% më i ulët, ndikuar po nga ‘normalizimi’ i tregut të karburanteve.
Gjithsesi sipas statistikave më të detajuara të INSTAT, çmimet raportohen me rritje nga nëntori 2022 me ushqimet dhe pijet joalkoolike që janë shtrenjtuar me 7.1%, ndjekur nga grupi i argëtimit dhe kulturës me 6%, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 4.8%. Grupi i transportit, raportohet me ulje nga nëntori 2022, por kjo vetëm sepse në atë periudhë çmimi i naftës kishte arritur nivele rekord.
Sipas nëngrupeve, zarzavatet dhe patatet vazhdojnë të shtrenjtohen gjithnjë e më shumë. në nëntorin 2023 u shitën 21.2% më shtrenjtë se nëntori 2022. Çmimet e frutave u rritën me 9.3% dhe të produkteve “qumësht, djathë dhe vezë” me 8.3%, po për të njëjtën periudhë.
Sipas shpjegimit të dhënë nga institucionet statistikore, inflacioni që matet nga autoritetet vendase mat ecurinë e çmimeve, ndërsa inflacioni i harmonizuar sipas Eurostat mat ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të konsumatorëve sipas produkteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.