Ekonomi

Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas Eurostat, më i ulët se ai i INSTAT. Raportohet në rënie

Nga Gazeta “SI” – Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodës së Eurostat, rezultoi 6.6% për muajin qershor, 0.8% më pak se ai i matur sipas Instat.

Rritja më e madhe ka ndodhur në grupin e transportit, me rreth 16% më shumë se një vit më parë. Ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 11% dhe qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 4.5%.

Në raport mujor, IHÇK-ja ka rezultuar me rënie 0.4%, ndikuar nga rënia e çmimeve në grupin ushqime dhe pije joalkoolike me 1.7% dhe argëtim e kulturë me 1%.

Shqipëria është listuar ndër vendet me inflacionin më të ulët se vendet e tjera të BE-së, duke lënë pas vetëm Francën, Zvicrën, Islandën dhe Maltën.

IHÇK-ja, po rezulton më e ulët se IÇK-ja prej disa muajsh radhazi, kur më herët ndodhte e kundërta. Kjo sepse shporta e produkteve ku Eurostat bazohet për matjet, ka një tjetër përmbajtje nga ajo e Instat dhe dy produkte më pak.

Mesatarja e inflacionit në BE raportohet të jetë rritur në 9.6%. Estonia është vendi më lart kësaj mesatareje, me një inflacion prej 22% në qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë