Nga Mentor Kasa*-Sofika, e cila jeton që prej viti 1995 në hyrje të Alliasit, aty ku ndërtoi një shtëpi të re pasi u shpërngul nga vendlindja drejt Tiranës, kujton se asnjëherë nuk e ka pasur të lehtë më ujin e pijshëm.
“Fillimisht gjetëm linjën e ujit që furnizonte ish-fermën ‘Gjergj Dimitrov’ dhe aty bëmë një lidhje pa leje pasi askush nga ujësjellësi nuk na priti dhe as erdhi për një kontratë”, fillon e tregon ajo.
Sofika kujton se deri 7-8 vite më parë ujësjellësi vendosi sahatet, sepse deri atëherë paguanin aforfe, u krijua dhe një linjë tjetër furnizimi. “Uji kishte presion, por oraret e furnizimit ishin të njëjta rreth 1.5 orë në mëngjes dhe po kaq në drekë dhe pasdite”
Të gjitha shtëpitë rreth saj janë me depozita në tarraca . Por asnjë nuk e përdor ujin e rrjeti për të pirë. Në rrugicën e Sofikës 1 herë në dy ditë vjen një autobot privat që shet ujë për të pirë. Qytetarët kundrejt një pagesë prej 100 lekë furnizohen me rreth 15 litra ujë. “Është më lirë se sa ta blesh të ambalazhuar”, thotë ajo
Tani zona ku është vendosur familja e Sofikës është populluar ndjeshëm. Me shtëpi private dhe pallate të reja, por furnizimi me ujë mbetet me orare.
Ndërsa Suela është mjeke dhe ka një apartament në një bllok pallatesh të lindje të Tiranës, përreth kodrave të Saukut. Ajo tregon se në zonën e saj rezidenciale jetojnë familje më të ardhura të mira .Edhe pse komplkesi ka depozita qendrore, uji ka shumë kripëra pasi furnizohemi nga puse që ka hapur kompania që ju shiti shtëpinë. Ata shpesh kanë probleme me cilësinë e ujit dhe kosto të larta mirëmbajtje për shkak të depozitave dhe filtrave.
Sofika dhe Suela edhe pse duket sikur kanë shqetësime të ndryshme njëra për oraret dhe tjetra për cilësinë, burimi i problemit është i njëjtë: Uji.
Sofika na thotë se këto vitet e fundit ka dëgjuar shpesh që flitet për furnizim 24 orë në ditë dhe ka pritur me shpresë megjithëse duket e lodhur nga pritja. Erdha me fëmijë të vegjël dhe sot ata po krijojnë familjet tyre, por gjithnjë me ujë me orar kemi kryer shërbimet tona.
Sofika ka një të drejtë kur kujton se vitet e fundit ka dëgjuar shpesh për furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm pasi të paktën që prej 7 vitesh, bashkia e Tiranës premton se kryeqyteti do të furnizohet 24 orë por dita është ende larg..
Për herë të parë, Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës e bëri këtë premtim në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 2015. Gjatë takimeve elektorale ai premtonte çdo herë se në planin e investimeve të bashkisë, furnizimi 24 orë me ujë ishte ndër prioritetet e tij kur ai të drejtonte bashkinë e Tiranës.
Ky premtim u përsërit pothuajse çdo vit, prej marrjes së detyrës në vitin 2015.
Në vitin 2016, qeveria vendosi të ndërmerrte një reformë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve dhe rrjedhimisht, edhe gjendjes financiare të shoqërive.
Por, reforma u riaktivizua në 2018-ën. Edhe vitin e kaluar u fol për reformë por nuk u prodhua asnjë nga efektet e pritshme.
Në vitin 2017, dy vjet pas fitores së mandatit të parë , krye bashkiaku Veliaj kërkoi tarifë të re të ujit të pijshëm që sipas tij do të shërbente për të rritur investimet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve.
Gjatë dëgjesës me një grup këshilltarësh të PS dhe LSI, më 25 korrik 2017, Veliaj teksa argumentoi propozimin për çmimin e ri të ujit ku premtoi se do të investohen 170 mln euro në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes me qëllim që qytetarët e Tiranës të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
Sipas tij, e vetmja mundësi për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë është rregullimi i çmimit.
“Në qoftë se ne shikojmë Korçën dhe Pogradecin, respektivisht tarifat në Korçë dhe Pogradec janë 99, 98 lek/m3. Kur e bëri çmimin e ujit Korça nga 40 lekë në 99 lekë? Na rezulton se e bëri në momentin kur po përgatitej të merrte një kredi 88 milionë euro nga KFW dhe bëri gjithë rrjetin e ujësjellësit”, do të shprehej Veliaj në mbledhjen e këshillit bashkiak të 25 korrikut 2017.
Për të realizuar premtimin e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm, kreu i Bashkisë së Tiranës paraqiti para këshilltarëve edhe planin e investimeve 2017-2022, që parashikohen të kryhen për të bërë të mundur që pas 5 vitesh Tirana të ketë 24 orë ujë pa ndërprerje në rubinet, duke theksuar se për të bërë të mundur këtë është e nevojshme marrja e një kredie prej rreth 120 milionë euro me afat shlyerje për 12 vjet, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të përballohen me të ardhurat e vet UKT-së.
Por një vit më vonë, më 13 qershor 2018, Veliaj do të vijonte me premtimin për ujë 24 orë, duke deklaruar nga Stokholmi ku merrte pjesë në konferencën për investimet se është gati të propozojë një paketë tjetër investimesh për ujësjellës kanalizimet e Tiranës.
“Ambicia jonë është që brenda 5 vitesh nga fillimi i investimeve ne të kemi ujë 24 orë në Tiranë’, do të shprehej ai.
Edhe më 24 qershor 2019, në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, kryebashkiaku Veliaj gjatë një interviste në media do të ripërsëriste premtimin se brenda 5 viteve do të zgjidhej problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Tiranë.
Një muaj pas zgjedhjeve vendore të 2019, krye bashkiaku Veliaj i mandatuar për herë të dytë për të udhëhequr kryeqytetin, nga Londra ku merrte pjesë në takimin e BERZH do të deklaronte se po vazhdojnë investimet, por pa përmendur përmbushje të premtimit për ujë 24 orë.
“Kaluam në mandatin e parë nga 6 orë në 14 orë; ka ardhur koha që nga 14 orë në 24 orë dhe besoj që me financimet dhe investimet që po bëjmë, ditët më të mira edhe për ujin në Tiranë, i kemi përpara”, tha Veliaj.
Siç e shikoni dinamikën kalendarike të deklaratave, afatet se kur kryeqyteti do të ketë ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje janë shtyrë disa herë.
Afati më i fundit tani mbetet ai i thënë nga kryeministri Edi Rama cili duke prezantuar programin e Partisë Socialiste për Ujin dhe Energjinë, më 18 mars 2021, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, premtoi furnizim 24 orë brenda mandatit të tretë.
“Në mandatin e tretë do të garantojmë me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamzë, ku s’ka pasur ujë më parë. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale.
Më 25 gusht 2021, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi nisjen e fazës së dytë të punimeve në impiantin e Bovillës pranoi se akoma Tirana nuk ka furnizim 100 për qind me ujë të pijshëm.
“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh, që jo vetëm 70% e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100% e Tiranës të furnizohet me ujë”, tha Veliaj.
Ndërsa drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Elton Kacidhja tha se afati për përfundimin e këtyre punimeve është 24 muaj, por nëse vijohet me ritëm, puna mund të mbarojë më shpejt.
“Shpresojmë që në një kohë të shpejtë ta kemi në funksion impiantin, ndërkohë Tirana të ketë mundësi që në të gjithë pjesët e saj të shkojë drejt 100% dhe të ketë ujë 24 orë”, tha Kacidhja
Mirëpo që në 2019 kur Veliaj foli për një hua nga BERZH kaluan 2 vjet dhe vetëm në 2 dhjetor 2021, kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe zëvendës-kryeministri Arben Ahmetaj, arritën të firmosën marrëveshjen me BERZH për furnizimin e Tiranës me 24 orë ujë.
Në fjalën e tij, krye bashkiaku Veliaj pranoi se “jemi ende larg ambicies sonë për Tiranën 24 orë ujë, por ky është plani ynë për vitin 2024”.
Më 21 janar të këtij viti, drejtori i UKT Elton Kacidhja shpjegoi gjatë një interviste në media tre projektet që do të mundësojnë zgjidhjen e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë dhe që si buxhet do të përdoret një kredi e marrë nga Banka Europiane për Investime.
Kaloi edhe një vit tjetër që nga firmosja e huas me BERZH duke iua larguar më shumë afateve të premtuara. Në 19 prill 2022 , Arbër Mazniku zv.kryetar i bashkisë së Tiranës la të kuptohej se investimi nuk kishte nisur kur u shpreh se “do të mjaftojë një ndërhyrje në burimin natyror të Gurit të Bardhë në Klos, investim përmes huas së BERZH, që Tirana të ketë ujë të pijshëm 24 orë”.
Por përse qytetarët aktualisht nuk kanë ujë të pijshëm në çezmat e tyre?
“Uji në rrjet kontrollohet në mënyrë të përditshme, por sa kohë që një pjesë e qytetit e mban në depozitat personale, uji që marrin në shtëpi nuk ka fjetur tek UKT sepse ka ndenjur në një depozitë tjetër”, do të justifikohej nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.
Bashkia përmes nënkryetarit Mazniku ka deklaruar se investimi me kosto totale 140 milionë euro pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe do të përfundojë në 2024-ën.
Por drejtori aktual i UKT-së, Elton Kacidhja në një intervistë televizive është shprehur projekti do të përfundojë në 2026-ën dhe atëherë pritet që kryeqyteti të ketë ujë 24 orë në ditë.
Nëse këtë deklaratë të nuk do ta vinin në dyshim si të vërtetë atëherë rezulton se as premtimi i kryeministrit për furnizim 24 orë në Tiranë deri në fund të mandatit të tretë, i cili mbaron në qershor të 2025-ës, nuk mund të mbahet.
*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Europën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.