Ekonomi

Inflacioni ende rrezik për Shqipërinë, BSH: Konfliktet rajonale shtojnë presionet

Nga Gazeta 'SI' - Inflacioni është ende rrezik për ekonominë e Shqipërisë. Kështu raporton Banka e Shqipërisë, në analizën e fundit për Politikën Monetare.

Sipas BSH, balanca e rreziqeve për inflacionin anon në kahun rritës ndikuar nga mundësia e rritjes së mëtejshme të naftës dh e konfliktet rajonale. Paralelisht me to, presionet nga tregu i brendshëm i punës në Shqipëri mund të rezultojnë më të forta dhe të të qëndrueshme, duke shtyrë për lart trajektoren e parashikuar të inflacionit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjendja ciklike e ekonomisë vijon të mbetet pozitive. Punësimi ka vazhduar të rritet dhe norma e papunësisë ka rënë, ndërsa hendekët e prodhimit, të punës dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve mbeten në kahun pozitiv. Tregu i shtrënguar i punës ka vijuar të nxisë rritjen e pagave në sektorin privat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, tendenca rënëse e inflacionit u diktua nga dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste, nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut, si dhe nga materializimi gradual i impaktit të kursit normalizues të politikës monetare. Intensiteti i reduktimit të inflacionit erdhi në ngadalësim progresiv gjatë tre tremujorëve të fundit. Megjithatë, paralelisht me këto efekte të tregut të huaj, rritja e shpejtë e turizmit u pasqyrua në çmime të larta të shërbimeve dhe të qirave gjatë tremujorit të katërt.

Rreziqet inflacioniste ngelen të larta dhe mund të aktivizohen më tej pas tremujorit të dytë, kur pritet rritje e kërkesës, e lidhur me turizmin, por edhe me rritjen e pagave në sektorin publik.

Këshilli theksoi se qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste dhe rreziqet e kahut të sipërm mbi inflacion kërkojnë monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe reagim në kohë nga politika monetare, për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë