Shendet

Infektimet po rriten, por masat nuk ndryshojnë. Komiteti ia la në dorë qytetarëve: Zbatoni ato që janë në fuqi

Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se ka një rritje rastesh ditore dhe një shtim të telefonatave në numrin e Urgjencës Kombëtare pë rastet me Covid-19. Por pavarësisht këtyre fakteve zëvendësministrja Mira Rakacolli tha se “komiteti ka vendosur që të mos ketë një ndryshim masash nga ato që janë deri më tani në fuqi”.

Në një paraqitje shifrash drejtoresha e ISHP, Albana Fico, deklaroi se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 që ishte dy javë më parë.

“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291. Numri total i rasteve aktive në vend para 2 javësh ishte 539, ndërsa sot janë 6433, që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara. Pozitiviteti i mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52% me 48% dhe raporti i fataliteteve është 1.8%. Grup moshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Qytetet më të prekura nga infeksionet janë Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora”, tha Fico.

Më tej Fico shpjegoi se masat nuk kanë ndryshuar, por duhen zbatuar nga të gjithë qytetarët.

Ekspertët kanë thënë se shkak për rritjen e infektimeve është bërë qarkullimi masiv i variantit Delta në vend. Në vijimësi, mjeku infeksionist Dhimitër Kraja ka shpjeguar se ka 90 shtrime në spitale, nga të cilët 60% janë meshkuj, 55% mosha të treta dhe 30% forma të rënda.

Ndër karakteristikat të tjera të pacientëve, mjeku Kraja përshkroi se 15% e tyre janë në moshë të re, 25% mosha e mesme, 55% janë mosha e tretë dhe 8% mosha e katërt.

Ndërsa për sa i përket gjendjes shëndetësore mjeku Kraja ka shpjeguar se, 40% janë forma të mesme serioze ose me ndërlikim ose në subjekte që kanë probleme, 30% janë forma të rënda dhe të tjerët ndahet në problematike ose ndërlikime të rrezikshme kërcënuese.

Më tej duke folur për vaksinimin Drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino shpjegoi se aktualisht kemi një mbulesë vaksinale me rreth 27% me të dyja dozat dhe rreth 37% me një dozë.

“Gjirokastra është qyteti me mbulesën vaksinale më të lartë, por ka një mbulesë vaksinale edhe në Tiranë. Vazhdojmë të kemi vaksinime masive, sa i përket të gjitha grupmoshave. Duhet të themi që rastet e vaksinuara me një dozë që janë shfaqur në popullatë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Ndërsa rastet e vaksinuara me të dyja dozat janë 32 herë më pak se rastet e pavaksinuara”, tha Bino.

Në vijimësi ekspertët shpjeguan se nën këto shifra nuk diskutohet mbyllja e shkollave. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se shkollat do të hapen atëherë kur është përcaktuar, në bazë të protokolleve të përcaktuara.
“Tashmë kemi stafe të vaksinuara, por edhe një pjesë e mirë e familjarëve të nxënësve janë vaksinuar. Në shifrat që jemi sot, nuk diskutohet fare hapja e shkollave”, shtoi Rakacolli.
Më tej drejtoresha Albana Fico ka shpjeguar gjithashtu se nuk do të kalohet në strategjinë e vaksinimit të detyruar në vendin tonë. Ajo ka mënyra alternative që një person të punojë brenda parametrave të punës, pa arritur tek strategjia ku duhet të vaksinohen me detyrim.
“Vaksinimi nuk është i detyruar, e kemi ndjekur dhe do të vijojmë ta ndjekim. Ka disa element siç janë mjekët, arsimtarët, që përpos detyrës qytetare kanë detyrë të mbrojnë komunitetet. Nuk detyrojmë, por ka mënyra alternative që një person të punojë, por të jetë brenda parametrave të punës. Nuk detyron njeri, por mund të kërkosh statusin jo infektiv të vetin, ’deklaroi më tej Fico.
.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë