Propozim i SI

India, eksperimenti shqiptar i radhës për punëtorë

Nga Gazeta 'Si'-Punonjësit e rekrutuar nga Bangladeshi për të punuar në Shqipëri, nuk janë më as zgjidhje, as zgjedhje.

Tani, sektorët që vazhdojnë të vuajnë për fuqi punëtore, do t’i këmbejnë forcat e punës me Indinë.

Këtë e pohon për Gazetasi.al Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve medicinale i cili thotë se për herë të parë ky sektor do të eksperimentojë me ardhjen e 29 punonjësve nga India.

I pyetur se përse sektori i ka hedhur sytë nga ky shtet, Gjoka thotë për Gazetasi.al se eksperienca me punonjësit nga Bangladeshi nuk rezultoi fort e kënaqshme.

“Pati shumë rrjedhje, thuajse të gjithë e përdorën Shqipërinë si trampolinë për të ikur drejt vendeve të tjera të BE-së, që janë më të zhvilluara se Shqipëria, pasi qëndruan vetëm dy-tre javë këtu ndërkohë që kostot për t’i sjellë në Shqipëri janë të larta.

Jam konsultuar me disa kolegë që punojnë në industri të tjera. Ata kanë marrë punonjës nga India dhe kanë rezultuar me rendiment dhe produktivitet edhe më të lartë se vendasit”, deklaron ai.

Gjoka thotë që fillimisht do vijë vetëm një grup eksperimental nga India.

Gazetasi.al ka shkruar edhe më herët për dështimin e punonjësve nga Bangladeshi jo vetëm në sektorin e fasonerisë, i cili ishte i pari që e kërkoi zgjidhjen tek këta punonjës, por edhe në sektorin e shërbimeve dhe strukturave akomoduese.

Në një analizë Gazetasi.al bëri, rezultoi se duke nisur nga pajisja me vizë e aplikimi për leje deri tek akomodimi, një biznes duhet të paguajë nga 850-1000 dollarë për rekrutimin e vetëm një punonjësi të huaj. Kosto e lartë kur ekziston risku që ato të mos qëndrojnë më shumë se një muaj në Shqipëri.

Gjoka thotë për Gazetasi.al që fillimisht do vijë vetëm një grup eksperimental nga India.

“Me 16 maj do të vijnë 4 punëtorët e parë të cilët do të punojnë në sektorin e përpunimit të një prej fabrikave eksportuese të bimëve medicinale. Do të shohim deri në qershor rendimentin e punës së tyre, atëherë kur nëse situata ka rezultuar e suksesshme, do të vijë edhe pjesa tjetër e grupit”, thotë Gjoka për Gazetasi.al.

Ai thekson se kryesisht punonjësit do të jenë çifte dhe do të punojnë me dy turne në fabrikë ku gratë do të merren me klasifikimin e bimëve medicinale.

“Paga minimale neto varion nga 400 deri në 600 dollarë në muaj që do të jetë paga maksimale, duke përfshirë edhe koston e akomodimit e cila është 80 dollarë në muaj për punëtor”, thotë mandej ai ndërsa shton se tendenca për punonjës të huaj mund të shtrihet në të gjithë sektorin.

Pas përfundimit të kësaj faze, ai thotë se do të shqyrtohet më gjerë mundësia e përfshirjes së të huajve në grumbullimin e bimëve medicinale, pasi shpopullimi i zonave malore po shton vështirësitë e mbledhjes të tyre.

Sipas tij, perspektiva nuk është pozitive dhe kriza për punonjës do të vijë duke u thelluar në vitet në vijim. Madje edhe ata që janë e kanë ulur prodhimin për shkak se nuk arrijnë dot të përballojnë kostot e larta.

Zonat malore janë shpopulluar dhe nuk ka më punëtorë për të mbledhur bimët mjekësore

Nëse edhe për disa kohë nuk shtohen kultivimet dhe fermerët nuk do të mbështeten me subvencione, atëherë kompanitë do të jenë të detyruara vetëm të importojnë lëndën e parë nga jashtë, thonë eksportuesit.

Një nga sfidat tjera me të cilat është hasur sektori prej do kohësh ka qenë edhe zhvlerësimi i euros dhe dollarit, dy monedhat kryesore që ata eksportojnë. Për rrjedhojë, edhe eksportet e këtyre bimëve janë ulur.

Për tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” u ulën me 8.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për këtë periudhë, rreth 28% e eksporteve të këtij grupi kishin destinacion Gjermaninë, 29% e tyre u eksportuan në SHBA ndërsa pjesa tjetër kryesisht në Turqi dhe Greqi.

Bimët medicinale që eksportohen janë kryesisht sherebela, rigoni, bima e trumzës, rozmarina dhe dëllinjë e zezë. Kërkesë e shtuar këtë vit për të gjitha llojet e bimëve sipas eksportuesve është shënuar edhe në Japoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë