Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria është një ndër vendet ku punëtorët përballen me kufizimet të të drejtave të tyre.
Kështu vlerëson indeksi i të drejtave nga Konferedata Ndërkombëtare e Sindikateve, që e fut Shqipërinë në kategorinë 3 të vlerësimit. Ky klasifikim u referohet vendeve ku të drejtat e punëtorëve shkelën në mënyrë të vazhdueshme, megjithëse mund të ekzistojë një kornizë ligjore që i njeh ato.

Në Belgjikë, Finlandë dhe Francë, autoritetet kanë vazhduar me shtypjen e grevistëve, duke përdorur masa ndëshkuese dhe ndalime për të frenuar protestat. Ndërkohë, qeveritë në Shqipëri, Hungari, Moldavi, Mal të Zi dhe Mbretërinë e Bashkuar janë kritikuar për abuzime me ligjin, duke zgjeruar në mënyrë të tepruar përkufizimin e ‘shërbimeve thelbësore’ – një manovër ligjore që kufizon ndjeshëm të drejtën për grevë”, thuhet në indeks.
Konfederata ITUC konstatoi një “përkeqësim të thellë” të të drejtave të punëtorëve në indeksin e saj vjetor të të drejtave, bazuar në 97 tregues të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe traktatet ndërkombëtare. Të drejtat e punëtorëve, të cilat raporti i mat në 151 vende, ranë ndjeshëm veçanërisht në Europë dhe në Amerikë – me rezultatet më të këqija për këto dy rajone që nga fillimi i indeksit në vitin 2014.
Në Greqi, Hungari, Serbi, Zvicër dhe Turqi, kompanitë kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të penguar aktivitetin sindikal, duke dëmtuar mbrojtjen e punonjësve dhe duke nënminuar organizimin kolektiv.
Një tjetër fenomen shqetësues është shfaqja e të ashtuquajturave “sindikata të verdha” – struktura të kontrolluara nga punëdhënësit – të cilat janë vërejtur në Armeni, Greqi, Holandë, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto pseudo-sindikata përdoren për të zëvendësuar përfaqësimin e vërtetë të punëtorëve dhe për të dobësuar zërin e tyre në vendimmarrje”, thuhet në raport. Në total, 87 për qind e vendeve shkelën të drejtën për grevë dhe 80 për qind shkelën të drejtën për negocim kolektiv, tha ITUC.
Vetëm një numër i vogël vendesh panë përmirësime në këtë drejtim. Reformat forcuan të drejtat sindikale në Australi, ndërsa në Meksikë, ndryshimet në legjislacionin e punës përmirësuan aksesin në drejtësi për punëtorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.