Njerez

Indeksi për përfshirjen dhe mbrojtjen e grave në biznes e ligj, Shqipëria humb dy pozicione

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka bërë hapa pas në përfshirjen e grave në biznes dhe ligj, sipas raportit të Bankës Botërore për 2024-n. Nga një vit më parë, Shqipëri ka humbur dy pozicione dhe sivjet renditet në vendin e 41 nga vendi i 39 në 2023-shin. Në listë janë 190 shtete.

BB vlerëson shtetet me anë të tetë treguesve, ku pikët e Shqipërisë kanë rreth një dekadë që janë vend qëndro, 91.3/100.

Matësit janë: siguria, vendi i punës, paga, martesa, prindërimi, sipërmarrja, dallimet gjinore në pronë dhe në trashëgimi, si dhe pensionet. Por këtë herë BB i ndan në tre grupime të mëdha “kuadri ligjor”, “kuadri i ndihmës” dhe “monitorime nga ekspertëet”.

Shqipëria ka pikët më të ulëra në “kuadrin e ndihmës”, 45/100, që do të thotë që masat e shtetit për të suportuar dhe lehtësuar gratë janë minimale, nisur nga e drejta për të punuar, për të pasur një pronë e deri tek ngacmimet. Nga monitorimet, që tregon të drejtat e praktikuara, Shqipëria vlerësohet me 68.8 pikë. P.sh një e tillë është leja e paguar e lindjes, një e drejtë e gruas në Shqipëri, por monitorimi vlerëson sa praktikohet.

Në “kuadrin ligjor”,  lidhur me barazinë gjinore para ligjit, Shqipëria merr 77.5 pikë.

Përpos se kemi humbur disa vende në raport me botën, Shqipëria nuk mban vendin e parë as në rajon.Në vend të parë me më shumë pikë është vlerësuar Serbia, me 93.8, ndjekur nga Kosova me 91.9 pikë. Vendi ynë ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, të cilat janë vlerësuar me nga 85 pikë secila.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë