Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka bërë hapa pas në Indeksin e Zhvillimit Human, HDI, për vitin 2023 duke humbur 7 vende në renditje dhe 0.07 pikë.
Në raportin e OKB-së që mat nivelin e zhvillimit të njeriut, 2023/24 Shqipëria renditet në vendin e 74-të nga 191 dhe vlerësohet me 0.789 pikë. Kjo është renditja më e ulët në më shumë se 5 vite e vendit. Gjithsesi sipas indeksit, Shqipëria është në kategorinë me zhvillim të lartë.

HDI matet sipas katër indikatorëve. E para është jetëgjatësia, ku në Shqipëri vlerësohet 76.8 vite, me rritje të lehtë nga një vit më parë.
Më pas vjen treguesi i viteve të nevojshme për arsimin e një personi, që rezulton 14.5 vite nga 14.4.
Ndërkohë në realitet, një person arsimohet për 10.1 vite nga 11.3.
Matësi i fundit është ai i të ardhurave për frymë, ku në një vit vlera është rritur nga 14.131 dollarë në 15.293 dollarë.
Shqipëria lë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut nga rajoni, që renditen në vendet 80 dhe 83 respektivisht.
Zvicra vazhdon të jetë vendi me normën më të lartë të zhvillimit, ndjekur nga Norvegjia, Islanda dhe HongKongu. Lista mbyllet me Sudanin e Jugut dhe Somalinë.
OKB thekson se polarizimi i botës në dy vitet e fundit po zgjeron hendekun e zhvillimit midis vendeve të pasura dhe vendeve të tjera, duke e vështirësuar progresin.
HDI, sipas Kombeve të Bashkuara, mund të përdoret për të vënë në dyshim politikat kombëtare, duke pyetur se si dy vende me të njëjtin nivel të të ardhurave për frymë mund të përfundojnë me rezultate të ndryshme të zhvillimit njerëzor. Këto kontraste mund të nxisin debatin rreth prioriteteve të politikave qeverisëse.
HDI thjeshton dhe kap vetëm një pjesë të asaj që përfshin zhvillimi njerëzor. Ai nuk reflekton mbi pabarazitë, varfërinë, sigurinë njerëzore, fuqizimin, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



