Menaxhim

Indeksi i Konkurrueshmërisë së Talenteve, Shqipëria me aftësi të larta teknike dhe të ulëta në njohuritë globale

Në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2021, Shqipëria u ngjit me tre vende nga viti i shkuar, por mbetet ndër të fundit në listë, në 73. Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut nga vendet e Rajonit që është në vendin e 79, rritur me 10 vende nga viti i shkuar.

Mali i Zi renditet në vendin e 49 (53 në 2020), ndërsa Serbia në vendin e 58 ( pa asnjë ndryshim).

Duke nisur nga indikatorët e analizuar Shqipëria paraqitet më dobët në njohuritë globale, në vendin e 103, duke u vlerësuar me vetëm 14.41 pikë.

Për krijimin e mundësive është vlerësuar me 44.98 pikë, për atraktivitetin e talenteve 49.58 pikë, ndërsa për aftësitë profesionale dhe teknike pothuajse 53.

Zvicra dhe Singapori zënë dy vendet e para të Indeksit mbi tërheqjen, rritjen dhe ruajtjen e talenteve, duke reflektuar nivelin e lartë të burimeve që i ndihmuan ata të përballojnë pandeminë, si dhe aftësitë në teknologjitë e përparuara. Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Suedia vazhdonin listën.

Lista e më të mirëve sivjet u kryesua nga vendet europiane dhe mënyra si reaguan vendet ndaj pandemisë.

“Pavarësisht nëse i matim strategjitë e shteteve në tërheqjen e talentit, për nga pikëpamja e kufizimeve të udhëtimit apo nga rëndësia në rritje e takimeve virtuale, shtetet kanë reaguar në mënyra shumë të ndryshme, në varësi të mjedisit të tyre politik, ekonomik dhe ndonjëherë gjeografik,” shkruajnë autorët e raportit.

Për herë të parë vendet aziatike kanë pësuar rënie dhe dalje nga Top10. Hong Kongu doli nga lista qyteteve të para në këtë Indeks, për shkak të tensioneve të fundit politike dhe ndikimit të masave të ashpra për frenimin e përhapjes së Covid-19, në të gjithë rajonin. Singapori, i cili po rihap ekonominë pasi minimizoi me sukses pandeminë, ra katër vende në listë, duke u renditur i shtati.

“Trazirat e kohëve të fundit në Hong Kong, si dhe masat e rrepta të bllokimit në të gjithë Azinë, kanë penguar aftësinë e këtyre qyteteve për të tërhequr talente”,- tha Bruno Lanvin, bashkëautor i raportit.

“Strategjitë e kujdesshme të Azisë për kontrollin e virusit mund të jenë në avantazhin e saj pasi njerëzit e shohin rajonin si një vend më të sigurt për të jetuar dhe për të punuar”,-tha Lanvin. “Kjo do të ishte një tjetër pikë e fortë për Singaporin dhe Hong Kongun, përveç përparësive të tjera si sistemet e zhvilluara arsimore dhe teknologjia e përparuar.”

“Unë ende jam i bindur se rajoni Azi-Paqësor, në vitet në vijim do të mbetet një nxitës kryesor i rritjes globale”, -tha Lanvin. “Dhe personat e talentuar do të dëshirojnë të punojnë atje.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë