Nga Gazeta 'SI' - Çmimet e banesave në Shqipëri ranë gjatë gjashtëmujorit të dytë 2023, raporton Banka e Shqipërisë.
Matur nga Indeksi Fischer, Banka e Shqipërisë thotë se çmimi i banesave ra me 7.6% në rang vendi dhe me 10.1% për Tiranën, në raport gjashtëmujorësh. Gjithsesi, rënia e indeksit nuk do të thotë çmime më të ulëta në vlerë, por për shkak të metodologjisë së përdorur (rasti i inflacionit). Pas kulmimit në fillim të 2023-shit në 2.10 pikë, Indeksi qëndron në 1.90 pikë.
Nga ana tjetër, çmimet e qirasë janë raportuar në rritje. Ky informacion mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm.
Anketa e BSH-së që krijohet në bazë të përgjigjeve të agjentëve imobiliarë e përshkruan pozitiv këtë treg, me një rritje të kërkesës si nga vendasit edhe të huaj, këta të fundit zënë 26% të totalit të blerjeve. 2/3 e këtyre blerësve janë shtetas të BE-së.
Agjentët tregojnë se ka një zgjatje të kohës së shitjes për një pronë, nga 10.6 në 10.9 muaj në rang kombëtar, përfshirë ato në bregdet, por për Tiranën koha është shkurtuar me 2 muaj.
Një tregues optimist për tregun e pasurive të paluajtshme është edhe rritja e shitjeve me të njëjtin çmim që është kërkuar nga shitësi.
Por agjentët thonë se numri i banesave të reja për shitje është në rënie prej disa muajsh tashmë. Numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Burim i financimit të këtij tregu është kredia bankare në 60% të rasteve. Nga këto, në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.