Menaxhim

Indeksi botëror i punës në distancë, Shqipëria nuk kalon dot as vendet e rajonit

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria renditet në vendin e 51-të nga 108 shtete për punën në distancë “Remote Working”.

Sipas të dhënave të Indeksit Global të Punës të publikuara nga “NordLayer”, ndonëse pozicionimi i Shqipërisë nuk është tregues negativ, ajo mbetet e fundit nga vendet e rajonit.

Ky indeks bazohet në katër vlerësime që garantojnë cilësinë e punës në distancë, nga siguria kibernetike, ekonomia, infrastruktura dhe siguria sociale.

Sipas vlerësimit të këtyre faktorëve Shqipëria ka marrë 0.691 dhe 0.680 pikë në sigurinë kibernetike dhe sigurinë sociale, nga 1 pikë në total, duke u renditur mes 50 shteteve me pikët më të larta. Ndërkohë, nga ana tjetër, në infrastrukturën digjitale dhe ekonomi ka marrë përkatësisht 0.566 dhe 0.652 pikë.

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë pikët më të larta në rajon duke u renditur kështu si dy të parat. Serbia renditet në vend të 37-të, ndërsa Maqedonia e Veriut në vend të 47-të. Më pas në renditje ndjek Shqipëria. Për Kosovën ky studim nuk disponon të dhëna.

Danimarka dhe Holanda kryesojnë këtë indeks si dy vendet me infrastrukturën më të përshtatshme për punonjësit remote në distancë.

Shqipëria momentalisht po tenton të përshtasë kornizat ligjore, për t’u bërë një vend mikpritës i nomadëve digjitalë, të cilët përfitojnë disa përjashtime fiskale nëse zhvendosen në vendin tonë. Shtete të tjera si Portugalia po zhbën të gjitha nismat që kishte aktivizuar për tërheqjen e nomadëve, pas një krize të kostos së jetesës, nxitur nga ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë