Incidenti i sotëm në zyrat e brendshme të Frymës së Re Demokratike, ku Policia Bashkiake e Tiranës kërkoi lirimin e ambienteve për “arsye sistemimi”, ka qenë lajmi i ditës.
Në një situatë të pazakontë, në konflikt, madje dhe fizik, u përfshi edhe presidenti Ilir Meta, i cili mbërriti në mbështetje të kryetarit të FRD-së, Sali Shehu, duke e cilësuar veprimin e Bashkisë me prapavijë të pastër politike.
Po përse Bashkia Tiranë kërkon largimin e FRD-së nga zyrat, të cilat për ironi të fatit janë përdorur nga Partia Demokratike për dekada, para largimit të saj te ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore (SHQUP).
Në fakt, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që FRD-ja të zbatojë ligjin për “partitë politike”.
Sipas këtij ligji, Bashkia e Tiranës ka detyrimin që t’u japë ambiente për zyra partive politike që kanë përfaqësim në Kuvend apo kanë në përbërje një ish-President.
Kështu, sipas nenit 22, pika B, të këtij ligji, “partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore”.
Këtë të drejtë e kanë edhe ato parti politike, “mesatarja e votave të të cilave, në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1% në shkallë vendi”.
Por me dorëheqjen e Bamir Topit, FRD nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, pasi tashmë nuk ka as deputet dhe as ish-Presidentin.
Kjo është edhe arsyeja pse Bashkia pretendon se nuk ka më asnjë detyrim t’i ofrojë zyra.
Aktualisht, FRD nuk është parti me përfaqësim parlamentar dhe nuk ka as 1% të mesatares së votave në tre zgjedhjet e fundit.
Ligji nuk e ngarkon Bashkinë ë Tiranës të sigurojë seli për partitë që nuk përmbushin këto pika të ligjit.
Përmes një letre, FRD është njoftuar disa ditë përpara nga Bashkia dhe i është lënë koha e nevojshme për të marrë masat për lirimin e godinës.
Përveç presidentit, incidentin e ka dënuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha, i cili ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se “nuk ka asnjë shans që ta frikësojë popullin, i cili do ta largojë në 25 prill”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




