Rend dhe Ligj

Incident në Fier mes njerëzve të Agron Kapllanajt dhe hetuesve të BKH. Policia: U goditën për shkak të detyrës

Gazeta Si – Pesë persona janë shoqëruar në polici mbrëmjen e të martës, mes të cilëve edhe dëshmitarë pas një incidenti të ndodhur pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, i afërm i Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiak i Ballshit dhe ish-eksponent i Partisë Demokratike.

Motivi dhe dinamika e ngjarjes është ende e paqartë për sa kohë të dhënat e deritanishme janë kontradiktore.

Sipas policisë së Fierit, Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes, në aksin rrugor Fier-Patos, shërbimet operacionale të policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme”, – thuhet në njoftimin për shtyp.

Por sipas burimeve paraprake, mësohet se oficerë të BKH-së dhe punonjës të forcave operacionale kanë ngritur një dron në hyrje të Fierit, pranë bizneseve të Kapllanajt, gjë që ka ngjallur dyshime nga punonjësit e subjektit të biznesit.

Nga informacionet paraprake mësohet se dëshmitarët gjatë marrjes në pyetje në polici kanë thënë se sherri ka nisur për parkim të gabuar të disa automjeteve pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni. Punonjësit e operacionales kryen kallëzim duke pretenduar sulm për shkak të detyrës.

Vetë BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit), nuk ka ende asnjë reagim zyrtar dhe mbetet i paqartë misioni i njerëzve të kësaj strukture në Fier, një zonë me tensione të larta në këtë fushatë elektorale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë