Drejtësia

SPAK i kërkoi Kuvendit arrestimin e Alqi Bllakos, deputeti i PS dorëzon mandatin: Do të sqaroj të vërtetën para drejtësisë

Gazeta Si - Përveç 9 urdhër-arresteve të lëshuara këtë të martë për aferën e inceneratorit të Fierit, SPAK dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë edhe një kërkesë për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

Bllako ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në periudhën kur janë miratuar koncensionet për inceneratorët.

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shjqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”, - thuhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të babait të deputetit socialist, Edmond Bllako.

“Lloji i pasurisë ‘apartament’, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë”, - thuhet në njoftim.

Bllako akuzohet nga SPAK, se në bashkëpunim me Lefter Kokën kanë shpronësuar në mënyrë të paligjshme të një “tokë arë”, duke e klasifikuar si “tokë truall” për inceneratorin e Fierit, duke i shkaktuar jë dëm shtetit mbi 16 milionë lekë.

Nga hetimet e deritanishme të SPAK, ka rezultuar se Alqi Bllako, kur mbante detyrën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ka paraqitur dokumente të falsifikuara për shpronësimin e tokës, ku u ndërtua inceneratori i Fierit.

I përfshirë në këtë aferë është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi.

“Në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilionë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë.

Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë.

Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm, janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së  tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj”, evidentohet në dosjen hetimore të SPAK.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë kohës që Alqi Bllako ka shërbyer në fillim si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

Kryetarja e Kuvendit do të mbledhë në orën 18:00 Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako i akuzuar për aferën e incineratorit në Fier.

Por mbrëmë Bllako njoftoi se do të heqë dorë nga mandati i deputetit. Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Bllako shprehet i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin e tij. Ai këmbëngul se është i pafajshëm e se “nuk kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar”.

Ai njofton se do të heqë dorë nga imuniteti që i jep mandati i deputetit, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

“Kam vendosur që ditën e mërkurë t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë”, shkruan socialisti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë