Drejtësia

Inceneratori i Fierit, SPAK kërkon 6.8 vite burg për Kokën dhe 4.8 për Alqi Bllakon

Gazeta Si - SPAK i kërkoi gjykatës të dënojë me 10  vite burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, si fajtor për 3 akuza, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave në dosjen e inceneratorit të Fierit.

7 vite burg ishte pretenca për ish-deputetin Alqi Bllako, për të cilin, prokurori kërkoi rëndim të akuzave, në “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”, ndryshe nga sa kishte vendosur gjyqtari i seancës paraprake, që nuk e konsideroi funksionar të lartë. Avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj, e quajti qëndrimin e SPAK si antikushtetues.

Për pasuritë e vëna në sekuestro SPAK kërkon kinfiskimin e tyre. Prokurori Dritan Prençi lexoi pretencën, ndërsa Lefter Koka dhe Alqi Bllako nuk kanë qenë të pranishëm në seancë por janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës. Pas kësaj seance i takon avokatëve mbrojtës të paraqesin mbrojtjen e tyre dhe më pas e ka fjalën gjykata.

Dënimi më i lartë mes 15 të pandehurve në këtë dosje, u kërkua për Klodian Zoton, administratorin e kompanisë fituese të koncesionit të inceneratorit të Fierit. SPAK i tha Gjykatës ta dënojë atë me 12 vjet burg, për disa vepra penale.

Edhe për Arben Dervishajn, SPAK ashpërsoi qëndrimin, duke kërkuar dënimin e tij më 4 vite burg për 2 akuza, atë të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të funksionarëve publik, edhe pse këto akuza u rrëzuan nga gjyqtari paraprak.

Dënime nga 3 deri në 7 vite burg u kërkuan për ish-zyrtarët e tjerë të ministrisë dhe administratorët e kompanisë të akuzuar në këtë dosje. Të gjithë do të përfitojnë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Koka, Bllako, Abeshi, Muça, Shatëri, Murataj, Cenameri dhe Dervishaj, kanë dhe 5 vjet heqje të së drejtës për ushtrim funksionesh publike. Akuza është pushuar për Robert Shabanin, si dhe i veçuar mbetet Silvester Driza.

SPAK ka ashpërsuar akuzën e ngritur ndaj Alqi Bllakos, nga “korrupsion i funksionarëve publikë” në “korrupsion të zyrtarëve shtetërorë”.

Nga ana tjetër, i ka ndryshuar masa edhe Dervishajt nga “korrupsion në sektorin privat” në “korrupsion në sektorin publik”. E së fundmi Klodian Zotos i shtohet dhe një akuzë, “krijimi i skemave të mashtrimit”.

Ndërkohë 3 të pandehurit e tjerë, Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe Guiseppe Cafaglione do vijojnë procesin me gjykim të zakonshëm.

SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është vlerësuar në 60 milionë lekë.

Sipas SPAK, për inceneratorin e Fierit u krye korrupsion, u pastruan para dhe u mashtrua që nga shpronësimi i truallit ku do të ndërtohej inceneratori deri tek faturat fiktive për punimet. Megjithatë të gjithë të pandehurit kërkojnë pafajësi dhe pushim të çështjes, duke mohuar akuzat.

Dënimi i kërkuar nga SPAK, me 1/3 e uljes nga gjykimi i shkurtuar:

Lefter Koka 10 vjet (6.8 vite me gjykim të shkurtuar)

Alqi Bllako 7 vjet (4.8 vite me gjykim të shkurtuar)

Klodian Zoto 12 vjet (8 vite me gjykim të shkurtuar)

Pëllumb Abeshi 4 vjet (1.3)

Florian Muçaj 3 vjet (1 vit me gjykim të shkurtuar)

Azem Shatëri 3 vjet (1 vit)

Erjon Murataj 4 vjet (1 vit e 3 muaj me gjykim të shkurtuar)

Sabina Cenameri 4 vjet, (pezullohet dënimi për shkak se ka fëmijë të mitur)

Arben Dervishaj 4 vjet (1 vit e 3 muaj)

Loran Dusha 8 vjet

Arjola Kodra 3 vjet

Arbër Denizi 7 vjet

Juri Imeraj 7 vjet

Regan Merdani 4 vjet

Gentian Zifla 4 vjet


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë