Gazeta Si – Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes për inceneratorin e Fierit, Alqi Bllako ka hedhur akuza të forta kundër prokurorëve të SPAK, të cilët kanë në ngarkim çështjen.
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”, Bllako tha se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një agjende të caktuar.
LEXO EDHE:
– Inceneratori i Fierit, SPAK kërkon 6.8 vite burg për Kokën dhe 4.8 për Alqi Bllakon
– Skema korruptive e inceneratorit të Fierit, 4 mln euro për punë fiktive. Roli i Arben Dervishajt, Zotos, Kokës dhe Bllakos
“Shkelja e ligjit është aq flagrante se nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale, apo një hakmarrje personale. Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standard i hapur esktraligjor, duke çuar përpara një agjendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim”.
Sipas Bllakos, “kush konsiderohet funksionar i lartë shtetëror e përcakton Kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston. Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën shpërdorim detyre, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën vrasje me paramendim”.
Ish-deputeti socialist, pretendon se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil, teksa paralajmëroi se shkeljet e konstatuara do t’i ankimojë në KLP dhe deri në Strasburg.
“Është haptazi shpërdorimi i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale. Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg”, ka deklaruar Bllako.
Shtatë vite burg ishte pretenca e dhënë në 12 qershor për ish-deputetin, për të cilin, prokurori kërkoi rëndim të akuzave, në “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”, ndryshe nga sa kishte vendosur gjyqtari i seancës paraprake, që nuk e konsideroi funksionar të lartë.
Pas pretencë së para një jave, avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj, e quajti qëndrimin e SPAK si antikushtetues.
I pandehuri tjetër për aferën e inceneratorit të Fierit, Albert Dervishaj, nëpërmjet avokatit Elis Bilali, kërkoi pushim të çështjes, me argumentin se akuzat të cilat solli sërish SPAK janë rrëzuar më herët nga një gjyqtar paraprak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




