Gazeta Si - Dosja e inceneratorit të Elbasanit ka kaluar për gjykim, por GJKKO nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar për 10 të pandehurit që janë nën akuzë.
Të akuzuar në këtë aferë, siç e cilëson opozita dosjen në fjalë, janë disa zyrtarë të lartë, mes tyre ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.
Më herët, përmes avokatëve të tyre, Koka dhe Bllako kanë kundërshtuar akuzat e ngritura nga SPAK dhe kanë kërkuar pushimin e tyre.
Në seancën e mëparshme u dëgjuan të gjitha pretendimet e të pandehurve, ndërsa shumica prej tyre kërkuarën bashkimin e dosjeve me atë të inceneratorit të Fierit, e cila u rrëzua nga togat e zeza.
LEXO EDHE:
- Klodian Zoto e Stela Gugallja boshatisën arkat e inceneratorit të Elbasanit para se të zhdukeshin
- Si fitoi miliona Lefter Koka përmes kompanisë së vëllait. Të gjithë blenë sheqer, njëri prej tyre i pagoi qiranë ish-ministrit
Koka u arrestua fillimisht i akuzuar për korrupsion në procedurën për inceneratorin e Fierit, ku dyshohet se ka përfituar 1,2 milionë euro.
Gjithashtu, SPAK pretendon se Koka ka përfituar 3,7 milionë euro për favorizimet në inceneratorin e Elbasanit, për punë publike të pakryera.
Pjesë e dosjes për gjykim janë edhe Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k, duke ngritur akuzat përkatëse ndaj tyre në bazë të provave të mbledhura gjatë hetimit.
Të gjithë të pandehurit, akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Gjykata e Posaçme nuk dha vendim për asnjë kërkesë të të pandehurve, përfshirë edhe kërkesat për gjykim të shkurtuar të shumicës prej tyre, apo për gjykim të zakonshëm nga Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Një vendim i tillë pritet të merret në gjyqin e themelit.
Gjithë të tjerët, përveç Kondit, pavarësisht se kanë mohuar akuzat, kërkonin gjykim të shkurtuar. Në këtë rast, gjykata ndodhej para dilemës ligjore, pasi nuk mund të pranonte gjykimin e shkurtuar për shumicën, nëse nuk e ndanin çështjen e Kondit, gjë e cila edhe në këtë rast, do të përbënte precedent, pasi i hap rrugë ish-zyrtares ta vijojë procesin në Gjykatën e Tiranës dhe jo në Gjykatën e Posaçme, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Të pandehur, si persona që kanë korruptuar zyrtarët e lartë për të marrë koncensionin, u morën edhe 3 biznesmenët Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndër të tjera akuzohen edhe për pastrim parash në bashkëpunim.
Për Gugallën, SPAK ka kërkuar ekstradimin e saj nga Vjena, ndërsa Zoto e Mërtiri vazhdojnë të jenë në arrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.