Politike

Inceneratorët, Tabaku: Si u zhvatën 430 mln euro përmes lidhjes në qeveri me treshen Zoto-Gugallja-Mërtiri  

Kryetarja e Komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku lexoi në Kuvend raportin e hartuar nga opozita për çështjen në fjalë.  

“…Sot, në një raport të plotë të shkruar nga ekspertë ligjorë, të ekonomisë, të mjedisit dhe të fushës së energjisë elektrike të gjatë 120 faqe drejtuar SPAK e mbi të gjitha qytetarëve të këtij vendi do të mund të shohim se si është zbatuar një aferë financiare korruptive në kurriz të shqiptarëve me taksat e tyre që pasurojnë 3 individë me lidhje të ngushta në qeveri.

Kjo është me pak fjalë historia që ndodh thuajse në çdo koncesion/PPP korruptive, të panjohur që me duar në xhepa vijnë për të marrë 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve. Thjesht, kësaj radhe opozita mundi ta faktojë edhe nga dëshmitë e nëpunësve civilë, qytetarëve të thjeshtë, sipërmarrësve por edhe nga padija e rigjetur e ish ministrave, sekretarit organizativ të PS, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë e kështu me radhë. Mbi 60 orë dëgjesa publike, me qindra dokumente janë një pasuri e madhe jo vetëm për prokurorët e SPAK por edhe për këdo që dëshiron të kuptojë sadopak përfshirjen e Këshillit të Ministrave në një aferë që e bënë shkel e shko sepse menduan, siç edhe mendojnë, se nuk do t’i kapë drejtësia. Se janë të paprekshëm! Të pamposhtur!”, tha ajo

Tabaku citoi ndër radhë se disa individëve pa eksperiencë iu dhuruan tre projekte me vlerë mbi 430 mln euro.

”Këta individë kishin për detyre të zbatonin vetëm një detyrë, të merrnin përsipër arkëtimin e parave nga buxheti i shtetit për vete, në kompanitë e tyre dhe më tej këto para t’ia shpërndanin përfaqësuesve të qeverisë. Këta ishin ata që mundësuan Krijimin e Skemës më të madhe Mashtruese dhe Korruptive të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri.

Kjo skemë kishte si qëllim vetëm marrjen e fondeve publike, mosndërtimin e Inceneratorëve në mënyrë që të mundësohej vjedhja galopante e parave të shqiptarëve!”, tha ajo

Me tek Tabaku nënvizoi: “afera masive financiare rezulton se është mbështetur në dy shtylla kryesore:

Përfitimi i kontratave koncensionare nga kompani, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pa përvojë dhe pa aftësi financiare; në shkelje të procedurave në hartimin, miratimin dhe zbatimin e kontratave koncensionare

Përdorimi i fondeve publike përmes një skeme pastrimi parash për t’i nxjerrë këto fonde jashtë vendit apo duke kryer pagesa me kompani fiktive si dhe kompani që zotërohen nga të kërkuarit në arrati Zoto-Gugallja-Mërtiri.

Zanafilla e aferës së inceneratorëve do të ngjante e pakuptueshme nëse në këtë pjesë të parë të analizës nuk do të ndaleshim tek kush ishin tre kompanitë që iniciuan tre projektet në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe mbi të gjitha kush ishin pronarët e këtyre tre kompanive. Faktet, dokumentet, dëshmitë tregojnë se në fakt janë gjithmonë të njëjtin njerëz, të njëjtat mekanizma, të njëjta lidhje korruptive dhe praktika të paligjshme. Formalisht, pronarët e inceneratorëve janë tre: Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja”.

Duke folur për lidhjet e këtyre të fundit me Ahmetajn dhe Gjiknurin, Tabaku shtoi se i takon SPAK të bëjë një hetim të plotë në këtë drejtim.

“Një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i organit të akuzës, SPAK mund të zbardhë të plotë interesat që i lidhin fort me njëri-tjetrin Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjinkurin. Një ndihmë veçanërisht e madhe mund t’i vijë SPAK-ut nëse do të fokusohet te hetimi i udhëtimeve të përbashkëta që kanë realizuar këta shtetas, vendeve ku kanë qëndruar dhe aktivitetet që kanë kryer. Kompanitë që kanë fituar kontratat koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë, nuk kanë pasur asnjë përvojë në fushën e përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.

Kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur as kapacitetete financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve, vlera operacionale e të cilave përllogaritet në rreth 150 milionë euro, pa përfshirë përfitimet e tjera nga shërbimi i depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane, prodhimin dhe shitjen e energjisë si dhe depozitimin e dherave të siguruara si një monopol përmes veprimeve dhe mosveprimeve të qeverisë qendrore dhe asaj lokale”, tha ajo

“Në dhjetorin 2013 një vendim i qeverisë krijoi një komitet Ndërministror të përbërë nga zëvendës ministra që do të ishte hapi i parë për krijimin e terrenit për veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal që si qëllim kishte vetëm që me anë të mashtrimit,  duke krijuar situata të pavërteta, duke shfaqur shenja të qarta të korrupsionit në cdo strukturë qeverisëse të përfshirë, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave që i janë marrë padrejtësisht  taksapagueseve shqiptarë shumën e 430  mln euro”,  këmbënguli Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë