Në një seancë që ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka vendosur të lërë në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili u arrestua të martën në 14 dhjetor në lidhje me çështjen e inceneratorëve të Elbasanit.
Gjatë seancës për masën e sigurisë, mësohet e Koka nuk i ka pranuar katër akuzat e SPAK për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Ai ka thënë para gjyqtarëve se ka zbatuar dhe jo shkelur ligjin në lidhje me këtë çështje. "S'kam shkelur ligjin", mësohet të ketë thënë ai.
Ish-deputeti i Durrësit, mbërriti në godinën e GKKO-së nën masa të rrepta sigurie, i rrethuar me policë e me pranga në duar, ku pas arrestimit ka qëndruar në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ndërsa ende nuk janë ekzekutuar nga policia dy urdhër arrestet e pa ekzekutuara ende për Klodian Zoton dhe Stela Gugallajn, administratorë të kompanive koncensionare.
Avokati i Kokës: Është i pafajshëm, proces politik
Në përfundim të seancës për masën e sigurisë, Fatmir Braka, avokati i ish-ministrit Lefter Koka, thotë se arrestimi i befasishëm i klientit të tij nuk është normal, duke pasur parasysh funksionet dhe detyrat e larta zyrtare që ka mbajtur ai. Sipas tij, ish-ministri Koka nuk pranoi asnjë nga akuzat e ngritura dhe tha se është i pafajshëm
“Na u njoftua dje vendimi për vlerësimin e caktimit të masës së sigurisë. Zoti Koka mbajti atë qëndrim që i përgjigjet të vërtetës dhe realitetit, ndaj është i pafajshëm. Konfirmoi se nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me procedurat e impiantit në Elbasan. Kur Koka nuk ka përgjegjësi nuk aludon për ndonjë person tjetër”, - tha ai.
Braka deklaroi se Lefter Koka nuk u mor asnjëherë në pyetje, ndërsa nisjen e procesit hetimor e konsideron politik, pasi kallëzimi është bërë nga partitë politike.
"Ai akuzohet për shpërdorim detyre, por nuk ka asnjë përgjegjësi. Aty nuk u tha se ka marrë 3.7 mln euro, duhet të provohet se është bërë ky korrupsion. Nuk është marrë në pyetje, megjithëse ka qenë person nën hetim. Fillimi i procesit ka qenë politik, është bërë nga LSI. U gjet në banesë, i priti oficerët”, - shtoi Braka. Avokati shtoi se masën e sigurisë 'arrest në burg' do ta apelojnë brenda pesë ditësh në Gjykatën e Apelit.
Akuzat nga SPAK
Në vijim të akuzave, prokuroria thotë se Ministria e Mjedisit nën drejtimin e Kokës nuk ka kryer veprimet e plota përgatitore për dhënien e koncensionit. Sipas dosjes hetimore, SPAK ka konstatuar se është aplikuar procedura me negocim pa shpallje paraprake, kur këtë gjë e përjashton ligji.
Ish-deputeti akuzohet se ka marrë rreth 3.7 mln euro në mënyrë të paligjshme nga kompania koncesionare e incineratorit të Elbasanit, fonde që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.
Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.7 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.
Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Me vendim gjykate, SPAK sekuestroi dy kompanitë dhe biznesin privat të ish-Ministrit, kantinën e verës në Rrashbull, Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për personat e tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.