Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për aferën e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.
Koka, i akuzuar nga SPAK për “shpërdorim detyre”, “korrupsion” dhe “pastrim parash”, kërkoi në Gjykatën e Lartë prishjen e masës “arrest në burg” caktuar nga Apeli i Posaçëm me 2 janar.
Një kolegj penal i Gjykatës së Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e Kokës kundër vendimit të Apelit, duke lënë kështu të pandryshuar masën ndaj tij.
Nga ana tjetër, mbi Lefter Kokën, i cili qëndron në burg nga 16 dhjetori, rëndon një tjetër mase sigurie “arrest në burg” për llogari të hetimit të inceneratorin e Fierit.
Në dhjetor të vitit të kaluar SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e incineratorit në Elbasan.
Hetimet disa mujore zbuluan se Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e incineratorit të Elbasanit.
Po ashtu, gjykatat nuk i kanë zhbllokuar ish-ministrit as 88,19% të aksioneve të kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pasi ka dyshime se e ka krijuar me para të paligjshme.
Dyshohet se nga afera korruptive e incerantorit të Elbasanit dhe Fierit, të ketë përfituar miliona euro nga dy administratorët e kompanive, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
Sipas SPAK, këto para janë përfituar nga Koka, duke hapur kompani fiktive në emër të njerëzve të tij të afërt.
Disa nga kompanitë sipas SPAK i kanë përfituar paratë duke lëshuar fatura fiktive sikur kanë blerë miell dhe sheqer.
Për këtë çështje, me urdhër të Gjykatës së Posaçme është arrestuar edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.