Drejtësia

Inceneratorët, Apeli lë në qeli ish-ministrin Lefter Koka

Gazeta Si – Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka do të vijojë të mbetet në qeli, i akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Kokës, të cilët një ditë më parë kërkuan një masë më të butë sigurie me pretendimin se klienti i tyre nuk ka kryer shkelje.

Ata argumentojnë se ai nuk ka përgjegjësi për shpronësimin, pasi dokumentacioni është përgatitur nga ekspertët e ministrisë së Mjedisit.

Megjithatë, kjo nuk u pranua nga gjykata, duke e lënë të pandryshuar masën e arrestit me burg.

LEXO EDHE:
– Lefter Koka bashkëpunëtor i drejtësisë? Avokatët: Nuk ka pse të jetë i penduar
– Lefter Koka, mbi 3 orë dëshmi para SPAK-ut: Kam zbatuar ligjin, kompanitë për Fierin nuk i njoh
– Si fitoi miliona Lefter Koka përmes kompanisë së vëllait. Të gjithë blenë sheqer, njëri prej tyre i pagoi qiranë ish-ministrit

Avokatët do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar njërën nga masat e sigurisë që i janë caktuar më herët Kokës.

Ndërkohë ministri nuk ka qenë i pranishëm në të dyja seancat, por vetëm avokatët dhe të arrestuarit e tjerë për incineratorët.

Koka mund të marrë edhe një masë tjetër sigurie edhe për inceneratorin e Tiranës, nëse do të gjendet fajtor.

Ndaj ish-ministrit të Mjedisit rëndojnë tre akuza, ajo e “Korrupsionit”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe ajo e pastrimit të parave”.

Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK  për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas prokurorisë, ministria e Mjedisit nën drejtimin e Kokës nuk ka kryer veprimet e plota përgatitore për dhënien e koncensionit.

Nga ana tjetër SPAK pretendon se, Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, e për këtë shkalla e parë ka caktuar masën sigurisë “arrest me burg”.

Koka akuzohet edhe për Inceneratorin e Elbasanit që sipas prokurorisë ish-ministri ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë