Trashëgimi

Inaugurohet mozaiku i restauruar i Muzeut Historik Kombëtar

Këtë të martë është inauguruar mozaiku i restauruar i Muzeut Historik Kombëtar “Shqipëria”.

Mozaiku u përfshi në një proces restaurimi mundësuar falë programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Me inaugurimin e Mozaikut të restauruar të Muzeut Historik Kombëtar, nga sot ka nisur edhe edicioni i dytë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, ku kjo javë do të jetë e Bashkimit Europian dhe do të vijojë me shtete dhe kultura të tjera në javët në vazhdim.

Ekipi i UNOPS-it së bashku me skuadrën e restaurimit kanë nisur punën për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, që në maj të vitit 2021, një projekt i mundësuar falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku “Shqipëria” është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar më 28 nëntor 1981 në Tiranë.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime.

Majtas është grupi i luftëtarëve, kordhëtarëve dhe shigjetarëve ilir dhe shqiptarëve të luftës anti-osmane.Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar.

Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas 5 figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.

Gjatë kësaj pune ekipi i “EU4Culture” u përball me sfidën e ruajtjes së sipërfaqes së mozaikut prej 565 m2, një hapësirë më e madhe se përmasat e një fushe basketbolli.

Për ta arritur këtë, konservuesve iu desh të dokumentonin me kujdes mozaikun gur pas guri me dorë, duke përdorur një rrjetë plastike dhe letër kalku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë