Art dhe Kulture

In Memoriam, Gjergj Vlashi – Kur vdes njeriu i Estradës, ka trishtim

Jeta nuk është çështje sasie, por cilësie, thoshte regjisori i teatrit në prag të kremtimit të vitit të nëntëdhjetë të jetës, dy vite më parë.Por si një njeri që kishte prekur e jetuar tre regjime të ndryshme; i lindur më 1928, nisur karrierën artistike në vitet ’50 dhe i zhytur në përkthimet e autorëve të mëdhenj botërorë në gjuhën shqipe deri ditëve të fundit, jeta e Gjergj Vlashit i kishte pasur të  dyja.

“E trishtë kjo ditë jo vetëm për artdashësit durrsakë, por për artin shqiptar në tërësi. U nda prej nesh një nga regjisorët që themeloi Teatrin e Durrësit, shkrimtari e përkthyesi Gjergj Vlashi.U prehsh në paqe mjeshtër! Puna jote është trashëgimi për brezat e rinj!”, shkruante ministrja e Kulturës, ndërsa Vlashi ndërroi jetë të dielën e 4 tetorit.

Vlashi nisi të merrej me teatrin amator, qysh në vitet e para të pasluftës u mor dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj.

Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës. Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e Estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj.

Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estrade” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes.

I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, Vlashi ka botuar më shumë se 45 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.

Pasioni për teatrin tek Vlashi ecte me të njëjtin hap me atë për letërsinë. Ishte vetëm 14 vjeç kur realizoi përkthimin e parë dhe 16 kur shkroi skicën e tij të parë. Me formimin universitar kryer një pjesë në Bolonjë të Italisë, Vlashi ka sjellë në shqip nga gjermanishtja veprën e Franz Kafka. “Kam nderin të them se jam përkthyes i parë i tij, që përktheva dhe botova  librat “Metamorfoza” dhe “Procesi”. Përveç veprave të tjera”, rrëfente në një intervistë të dy viteve më parë Gjergj Vlashi, ndërsa thoshte se tek përkthimet kishte kriter cilësinë  e autorëve dhe vlerën e tyre shoqërore.

Njohës i disa gjuhëve të huaja Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë si  Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe shkrimtarë të njohur të Amerikës Latine.

Për 91 vjetorin e tij do t’i sillte lexuesve librin  “Madhështia e tragjedisë” i autorit spanjoll Quim Monzo botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.Ai është autor i disa romaneve si “Njeriu i Netëve të Vjeshtës” , “Ai, ajo dhe Vdekja”, “udhëtimi yt mbytet me klithma” , tregimet “Net të ftohta në bregdet”, dhe së fundi prezantoi dy librat e tij botuar në Kosovës “Netët e një qyteti” dhe “Vika”.

“Një humbje e madhe për të gjithë komunitetin artistik, Njeriu që me punën e palodhur ka bërë aq shumë për Teatrin, Estradën, Përkthimin, Letërsinë, na lë sot me një dhimbje të thellë.Për Gjergjin e madh të Durrësit, i paharrueshëm kujtimi i tij”, shprehte ngushëllimet Teatri i Durrësit, “Aleksandër Moisiu” për njeriun që i dha shumë institucionit.

Kur e pyesnin se ç’do të bënte kur të mbushte 90 vjeç, përgjigjej “jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart”.  Gjergj Vlashi jetoi gjatë, 92 vite, për të përmbushur ëndrrat e pasionet në art,  që e bëjnë një njeri të mos harrohet lehtë, nga brezat që do të vijnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë