I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja...
Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra...
Kështu i këndonte detit poeti, me të cilin u rrit brigjeve të Zvërnecit- aty ku Adriatiku dhe Joni përqafohen - dhe e përcolli magjinë e pafundësinë e tij në letër. Ishte deti që e bëri njeriun poet apo poeti e bëri detin poezi?! Nuk mund ta ndaje Fatos Arapin nga deti i tij...
Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine…
Kështu shkruante në një tjetër poezi, të titulluar “Guacat e detit” , ndërsa çastet buzë Jonit, ia sillnin muzën me tingujt e valëve.
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletëzat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrrizat e jodit...
I hapi sytë drejt jetës 89 vjet më parë buzë detit, për t’i mbyllur përgjithmonë në banesën e tij, larg tij, në Tiranë, nga e cila dilte rrallë e më rrallë. Shkak ndoshta shëndeti i lig – kishte kaluar hemorragji cerebrale dhjetë vite të shkuar –por ndoshta edhe për zgjedhje të tij, duke lënë poezinë të flasë për të. Poezitë e tij, të botuara në atëkohë kur diktatura hidhte rrënjët dhe godiste me grusht të hekurt ata që mendonin ndryshe, mbeten moderne edhe sot; të pakoha, me dashuri të pastër, ndërtuar si një botë utopike, e lirë, më e bukur, më e drejtë, ku përmes letrës, ata që e lexonin mund të fluturonin të lirë, ashtu si vargjet.
“Lumturi tjetër
botës i duhet!
...Dhe më e drejtë
Dhe më njerëzore…
Kështu shkruante poeti, në vargje që do i kritikoheshin vite më vonë.Vargjet e kishin bërë të ëndërronte, ashtu si valët e detit, që nga koha e studimeve në Sofje të Bullgarisë, ku matematika dhe ekonomia, nuk e patën kurrë joshjen dhe magjinë të njëjtë me ata libra poezie, me të cilët ushqente shpirtin. Poezitë e para do të niste t’i botonte nga fundi i viteve ’50, ndërsa më 1962 do të vinte votimi i vëllimit me poezi “Shtigje poetike” dhe katër vjet më vonë “Poezia dhe vjersha”. Liria dhe fryma moderne, e cila ecte në drejtim të kundërt prej udhëve që kërkonte të hapte Partia e Punës, ku edhe artet duhet të përdoreshin si mjet propagande për ndërtimin e “njeriut të ri” , do t’i mbijetonin edhe censurës, edhe mjeteve të tjera të hapura e më të nëndheshme të frikës.
Në famëkeqin plenumin e IV të Partisë Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, poezia e tij do të kritikohej, si pjesë e fushatës të ngritur nga vetë diktatori që i kishte shpallur luftë atyre që i cilësonte shfaqje të huaja e liberale në art dhe kulturë. Shtëpia botuese “Naim Frashëri” , e cila kishte botuar vëllimin “Më jepni një emër” të Arapit, do të niste analizën e hollësishme, nëse do i kishte shpëtuar ndonjë vepër syrit të rreptë vëzhgues të censurës. I redaktuar fillimisht nga Adriatik Kallulli dhe me recensë nga Dritëro Agolli, vëllimi “Më jepni një emër” , megjithëse u kthye nga redaksia e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, poezitë, thuajse të gjitha ato që ishin në libër, të cilësuara si të pabotueshme, u botuan në gazetat “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, Zëri i Rinisë”, “Shqiptarja e Re”.
Sipas shefit të redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës, së asaj kohe, Dhimitër Fullani, në një informacion të përgatitur për Ramiz Alinë, i cili ishte sekretari për artin, kulturën dhe propagandën në Komitetin Qendror, e cilësonte librin e Arapit si fenomeni kulmor i i ndikimit të poezisë dekadente të vendeve borgjeze e revizioniste, që – megjithëse me vështirësi, kishte çarë udhën edhe në redaksinë e “Naim Frashëri. “Megjithëse kjo çështje është bërë e njohur tanimë dhe libri u pezullua në kohën e duhur, shihet e nevojshme të përmendet, sepse ky rast përfaqëson një moment presioni të gjithanshëm të atmosferës liberale kundrejt modernizmit, të cilin nuk e frenuam dot as ne.”, i shkruante Fullani, Ramiz Alisë, në dokumente të cilat i ka publikuar gazetari Dashnor Kaloçi.
Vëllimi, të cilin Arapi e çoi të ripunuar në redaksinë e shtëpisë botuese, u hodh në shtyp mw shumë ngaqë shtëpia botuese u ndje nën presionin e gazetave, të cilat ia kishin botuar poezitë tashmë. “Redaksia e rishqyrtoi variantin e dytë të ripunuar dhe, meqë nuk u bind për botimin e një vëllimi të këtillë poetik, i cili do të luante një rol orientues negativ për krijimtarinë tonë poetike, u këshillua me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, shokun Dhimitër Shuteriqin si dhe me shokun Hamid Beqen dhe ata mendonin se nuk duhet penguar botimi i librit për shkak të stilit hermetik të autorit, por të qërohej vëllimi nga ekuivokët.”Fullani e quante një prirje jo të favorshme për krijimtarinë poetike, e cila duhet të ishte doemos sipas vijës së Partisë. Kritikave për hermetizëm të poezive të Arapit, do i dilte në mbrojtje Dritëro Agolli, duke e quajtur poezi të qartë.
Si ndëshkim pas punimeve të Plenumit të Katërt, nuk do të hiqej nga qarkullimi vetëm vëllimi me poezi, por Arapi do të kalonte nga pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në shkollën e mesme të natës “Sami Frashëri” në Tiranë, ku punoi për dhjetë vite, deri më 1982-shin. Krahas poezisë, Arapi do të shkruante edhe disa novela si “Patat e egra” , “Cipa e borës”, romane si “Dhjetori i shqetësuar” Shokët”, “Deti në mes”, krijimtari kjo e para viteve ’90. Nuk punoi kurrë në asnjë redaksi të Lidhjes së Shkrimtarëve e siç thoshte vetë, nuk kish qenë as anëtar i kryesisë së kësaj lidhjeje e as anëtar i partisë.
“Në vitin 1983, për arsye se pensioni, në bazë të rrogës së shkollës së natës, dilte shumë i vogël, më nxorën si shkrimtar në “Profesion të lirë” deri në vitin 1990. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike. Në vitin 1990 kam dalë në pension”, shkruante në jetëshkrimin e tij Fatos Arapi. E njëmendi, poezinë nuk e vuri kurrë në shërbim të politikës. Mbeti e sinqertë, e pastër, intime, me atë lloj intimiteti që nuk ka vend tjetër veç ndjenjës që rrjedh nga krijuesi drejt lexuesit. Ishte pikërisht ky vit, vit i tërheqjes së tij, një jetë e kaluar më ne heshtje, por pa iu larguar krijimtarisë. Ajo nuk mund të dilte në pension. Në vitin 1995, do të botonte dramën “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”, më 1999-ën , do të botonte novelën “Gjeniu pa kokë” , ndërsa më herët kishte sjellë në shqip poezi të Pablo Nerudës, Safos, Nikolla Vapcarovitdhe një antologji të poezisë turke.
Dhjetë vite më parë, më 2008 -ën do të nderohej me “Kurorën e Artë” në Mbrëmjet Poetike të Strugës, një çmim prestigjioz me të cilin janë vlerësuar emra të mëdhenj të letërsisë botërore si poeti kilian Pablo Neruda, britaniku Ted Hughes, siriani Adunis, izraeliti Jehuda Amichai, bitniku amerikan Allen Ginsberg, greku Yiannis Ritzos, e deri tek shkrimtarja amerikane Margaret Atwood. Një çmim, pesha e të cilit ka qenë më vonë garanci për Nobelin e Letërsisë, ku shumë laureatë të “Kurorës” strugane janë vlerësuar me Nobel.Nga Shqipëria ka vetëm një laureat të këtij çmimi dhe ai është Fatos Arapi. Ashtu si të gjithë lauretatët edhe ai mbolli pemën e tij në Strugë, e cila sot e kësaj dite është atje, në nderim të tij.
Në Tiranë, pak u fol për vlerësimin dhe rëndësinë që kishte dhe vazhdon të ketë. Një vlerësim i jashtëm, që e vlerësonte krijimtarinë e Fatos Arapit me të njëjtën masë, që ky Festival Poezie kishte matur krijimtarinë e Nerudës, Ginsbergut apo Amichai-it. “Mendoj se rrallëkush nga komuniteti asketik i poetëve e di, se poeti Fatos Arapi ishte para dy vitesh fitues i Kurorës, se ekziston një libër i vëllimshëm e luksoz me poezitë e tij në maqedonisht, siç botohen rëndom poezitë e poetëve fitues. Në pikun e retorikës politike për integrimet tona, në kulmin e bumit të teknologjisë informative, askush s’e mori vesh sensacionin kulturor, që i bën nder letërsisë shqipe. Në vend të tyre – tejpërtej ekraneve e faqeve të gazetave, me një tmerr psikotropik, na shfaqen patësosur fytyrat e pacensuruara të politikanëve tanë. Dhe media shndërrohet çdo ditë te ne, pak e fije, në festë kainësh. Kush ia ka ngenë kulturës…”, shkruante më 2010-ën, Ante Popovski.
Me të ardhur lajmi se poeti kishte ndërruar jetë, në rrjetet sociale vërshuan vargjet e poetit, i cili edhe kur ngre pyetje ekzistenciale në vargjet e tij, nuk i ikin dot dashurisë.
...dashurinë që drejt meje po vjen,
do ta puthë në buzë, në ballë;
... Dhe e vdekur atje, dashuri,
përjetësisht do të mbetesh e gjallë;
Ashtu ëmbël edhe butë i ngre pyetjet e mëdha të jetës, poezia e Fatos Arapit. Un’erdha të kuptoj... që jeta është e bukur, e madhe sa shpeshherë, në madhështinë e saj gëzim e frikë ndiejmë”. Shkruante në poezinë, “Përse erdha në jetë”, poeti, të cilët censuruesit e atëhershëm e panë si dekadente dhe hermetike.
Për akademikun Ali Aliu, poezia e Fatos Arapit është regjistruesi më i shqetësuar, më mbresëlënës dhe dramatik i meskohës shqiptare, i kohës bosh, i kohës mushkë, që lëviz së prapthi. “Ajo identifikohet përmes parashenjës së përhershme të shkallëzimit dramatik, si edhe me konfliktin me zërin e vet – me shpresën e vet të zhgënjyer, me kohën dhe pakohën, me fatin dhe fatlumin në duart e tiranëve.”Studiuesi Giuseppe Gradilone e cilësonte Arapin si më modernin në panoramën e letërsisë shqipe bashkëkohore. Në poezinë “Lamtumirë”, poeti shkruan se merr me vete djegie perëndimesh nëpër muzgje të qetë, silueta qiparisash në sfonde të murrmë ullinjsh...
Dhe blloqet e hijeve të Çikës,
që përkunden netëve
mbi kostelacione yjesh Jonit përposh.
Lamtumirë!
Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.
Thuhet se poeti la një amanet; të mos i bëhen homazhe kur të ndahej nga jeta, duke preferuar të ikë qetë, si deti në kohë të patrazuar, drejt banesës ku do të prehet, në varrezat e Sharrës. Nëse njeriu pushoi së marri frymë, poeti nuk vdes e aq më pak poezia...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.