Financa Personale

Impulsiviteti, TikTok-u dhe ‘fast fashion’ – Guida e konsumit të të rinjve shqiptarë

Nga Gisela Troplini – “Asnjëherë mos i thuaj të rinjve se diçka nuk mund të bëhet”, është fjalia e famshme e historianit anglez George Macaulay Trevelyan, një shekull më parë. Ndonëse të rinjtë kanë qenë gjithmonë antikonformistë, kjo fjali përshkruan në tërësi edhe të rinjtë e sotëm, gjeneratën Z. Ata që po përmbysin normat politike, sociale dhe ekonomike të rrënjosura deri më tani për një të ardhme më të mirë për ta. Ndonëse bota e tyre shumëngjyrëshe (me më shumë se flamuri i LGBT-ve) është e mbushur me ide pothuajse të papranueshme nga paraardhësit e tyre, me idhuj kontroversë dhe pak ekstremizëm, ata mund të deshifrohen nga mënyra si konsumojnë. Kjo vlen dhe për të rinjtë në Shqipëri, që duken të jenë individualistë dhe të shoqërueshëm  në të njëjtën kohë. Pa para, por të gatshëm për të shpenzuar. Të veshur bukur ndërkohë që lexojnë.

LEXO EDHE:
– Bizneset nuk po përshtaten dot me brezin e të rinjve
– Si shpenzojnë të rinjtë? – Një guidë e vlefshme për bizneset

Si konsumojnë të rinjtë shqiptarë?

Pandemia ndryshoi shumë gjëra, por jo sensin e modës. Kështu thotë për Gazetasi.al, Eni Dedej, headmarketing e “Zero Absolute”, një rrjet dyqanesh për veshje në vend. Ajo tregon se ata kanë dëshirë për t’u dukur bukur dhe i përkushtohen këtij qëllimi duke ndjekur trendet. “Janë të interesuar pas fast fashion, modelet e reja që bëhen trend dhe pak bazike. Kemi ri sjellë një koleksion me body për herë të katërt dhe kjo tregon se sa ecin gjërat që janë trend i momentit. Pa përfshirë xhinset dhe pantallonat, që janë gjithmonë blerjet kryesore”, – tregon Dedej duke shtuar se pandemia, inflacioni kanë ndryshuar trendet, por jo shitjet.

“Që nga pandemia, janë rritur shumë blerjet online. Ne e konsiderojmë si dyqan më vete online-n. Ai është rritur dhe sepse ka shumë blerës nga rrethet, por edhe sepse nuk gjejnë kohën fizike për të blerë, janë me punë të dyta. Por është në rritje si opsion”, – shpjegon përfaqësuesja e firmës.

“Janë të interesuar pas fast fashion, modelet e reja që bëhen trend dhe pak bazike”

Të rinjtë shqiptarë janë impulsivë…në blerje. Blerësit impulsivë janë ata që blejnë për kënaqësi. Për ndjenjën më shumë se sa nevojën. Greta Harapaj, përfaqësuese e marketingut digjital dhe E-Commerce në “Aladini Shop”, një dyqan omni-store, me multikategori, tregon për Gazetasi.al se sipas kategorisë varet dhe lloji i blerjes, por dominon ajo e kënaqësisë ose dhe kombinimi i të dyjave.

“Sjellja konsumatore e të rinjve ndryshon sipas kategorisë dhe sezonit. P.sh. në muaj si dhjetori ka blerje për konsum dhe kënaqësi, dhuratat. Blerjet për shtëpi kanë një pjesë të madhe të blerjeve domosdoshmëri (klima, elektroshtëpiaket) dhe kategori të tjera ku blerja bëhet edhe kënaqësi përveç domosdoshmërisë si enët e kuzhinës. E njëjta gjë ndodh tek kategoritë për Fëmijët apo Elektronika. Vitet e fundit janë rritur blerjet për kënaqësi por që përmbushin edhe nevojat e konsumatorit”, – shpjegon ajo.

Ata tregohen skeptikë dhe duan të verifikojnë produktin fizikisht, duke shmangur kështu edhe blerjet në botën e tyre të preferuar; atë virtuale.

“Blerjet online kanë pasur rritje, por ende në përqindje të vogël nga totali pasi mbizotëron blerja face-to-face. Arsyeja kryesore është mungesa e besimit, sigurisht edhe një kulture për ta parë dhe prekur produktin që zgjidhet. Ka konsumatorë që e porosisin online dhe e marrin në dyqan ose që shkojnë në dyqan dhe kërkojnë t’ju dërgohet në shtëpi me poste”- thotë Harapaj.

“Sjellja konsumatore e të rinjve ndryshon sipas kategorisë dhe sezonit. P.sh. në muaj si dhjetori ka blerje për konsum dhe kënaqësi, dhuratat.”

Përtej qasjeve të tyre deterministe dhe jo shumë konservatore, të rinjtë shqiptarë nuk janë të tillë kur lexojnë. Sipas Albert Gjokës, menaxher i platformës Bukinist.al, ata janë pritës të trendeve botërore dhe lexues të autorëve bestseller si Colleen Hoover, Madeline Miller, Ane Huang, Holly Jackeson, etj, të famshëm për vepra të tipit limonadë, hapje, zhvillim, konflikt dhe mbyllje.

“Të rinjtë blejnë libra të zhanrit romancë, mister, thriller, fantastiko- shkencor dhe libra motivues apo të zhvillimit personal. Po ashtu, ruhet një pëlqim edhe për klasikët botëror. Ato tituj që janë bestseller në tregjet botërore, të tillë janë edhe për të rinjtë shqiptarë. Veprat e disa prej këtyre autorëve tashmë janë sjellë në shqip. Vetë shtëpitë botuese po i kushtojnë shumë rëndësi përkthimit sa më të shpejtë, edhe për shkak të kërkesave të lexuesve, edhe për shkak të konkurrencës.”- shpjegon Gjoka për Gazetasi.al.

Ai shton se një trend tjetër në rritje është fenomeni i leximit në gjuhën origjinale, kryesisht anglisht, tregon Gjoka me shqetësimin e kjo gjë do të brishtësojë më tej gjuhën shqipe, si një mjet më pak i përdorshëm nga brezi i ri.

Inflacioni shkurtoi listën e shpenzimeve

“Ka një mendim që të rinjtë duan produkte low cost por në të vërtetë po drejtohen më shumë drejt markave mesatare dhe një propocioni të mirë cilësi/çmim. Porosia mesatare varion mes 40$-50$ (total shporta). Është rritur kërkesa për produkte më cilësore dhe me shumë funksione”, – tregon Harapaj nga “Aladini Shop”.

Por e njëjta tendencë është edhe në sektorin e veshjeve. Dedej nga “Zero Absolute” pranon se blerësit nga grupmoshat e reja nuk e kanë problem të blejnë pak më shtrenjtë në këmbim të një cilësie më të mirë.

As lexuesit nuk kanë lënë pas dore librin për shkak të disa kostove të rritura.

“Konstatojmë që ka një rritje të moderuar të interesit të të rinjve për librin. Shoh me kënaqësi se disa të rinj po e bëjnë leximin pjesë të jetës së tyre; po e përdorin librin për dhuratë, po e ndajnë procesin e leximit përmes rrjeteve sociale, pëlqejnë të lënë përshtypje, ju pëlqen që librin ta zgjedhin për dhurata në momente të caktuara, e kështu me radhë. Nuk e shoh si problem koston më tepër sesa dëshirën për të lexuar gjëra të veçanta, që nxisin imagjinatën e tyre”- shpreh Gjoka nga Bukinist.al.

Albert Gjoka, menaxher i platformës Bukinist.a

Menaxherët e disa klubeve të natës në kryeqytet në komunikim me Gazetasi.al nuk pranuan të flasin publikisht për konsumin e të rinjve në këto vende sepse momentalisht, siç e përshkruajnë ata “situata është shumë keq”. Sipas tyre klubet e natës janë “kurbani” në listën e shpenzimeve të të rinjve shqiptarë.

TikTok-u po përcakton trendet

Të gjitha bizneset që komunikoi Gazetasi.al përmenden të paktën një herë aplikacionin TikTok. Shumica e trendeve të përshkruara më lartë janë në fakt prodhim i këtij aplikacioni, nisur nga autorët bestseller që u përmendën, p.sh hashtag-u i Colleen Hoover ka mbi 5 mld shikime.

Fast fashion është një term i dalë po nga ky aplikacion, që nënkupton trendet e shpejta të modës që vishen vetëm një sezon, të bukura dhe të lira. Përdoruesit e TikTok i kanë bërë “cancel” xhinseve të ngushta dhe rikthyen xhinset me prerje kauboj.

Gadgets (aksesorë dhe pajisje të ndryshme) që publikohen në TikTok janë ndër gjërat më të kërkuara në dyqanin e Aladin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë