Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur me shkelje kompanitë kryesore të importit dhe tregtimit të grurit dhe miellit, që thotë se kanë bashkërenduar sjelljen dhe kontrolluar prodhimin për të përcaktuar çmimet e shitjes së produkteve të tyre.
Konkurrenca thotë se kjo veprimtari e tyre bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.
Kompanitë e gjetura në sjellje të bashkërenduar janë “AgroBlend Shpk”, “Miell Tirana”, “Bloja”, “Atlas” dhe “Atlas Mills”. Këtyre kompanive, Autoriteti i Konkurrencës u ka “tërhequr veshin”
“Të mos caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, çmimet e blerjes, ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik, ose investimet; Të mos ndajnë tregjet, ose burimet e furnizimit; Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike”, thotë Konkurrenca.
Vendimi është një formë këshillimi pa penalitete për kompanitë. Nëse ato nuk e zbatojnë atë, atëherë Konkurrenca mund t’i gjobisë, por jo më shumë se 1 për qind të xhiros së tyre vjetore, ose deri në 10 për qind të kësaj xhiroje, kur vlerëson se shkelja është mjaft e rëndë.
Autoriteti ka vendosur gjithashtu që të monitorojë për 1 vit sjelljen e këtyre ndërmarrjeve në treg dhe në përfundim të kësaj periudhe do të dilet me një vendim nëse janë zbatuar kushtet e detyrimet e vendimit.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës pason rritjen e çmimit të bukës me 20 lek në Tiranë dhe paralajmërimin e dhënë nga shoqatat e prodhuesve të bukës, brumrave dhe pastiçerive për rritje në të gjithë vendin. Shkak, thonë ata, është rritja e çmimit të miellit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.